Arbëri

Vetëm dy shqiptarë në fazën tjetër për Akademinë e Shkencave të Maqedonisë

Tre kandidaturat shqiptare janë eliminuar nga gara për anëtarë me korrespondencë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (AMSHA), shkruan gazeta KOHA. Dy kandidaturat e propozuara nga brenda akademisë, Zamir Dika (rektor i UEJL) për në Departamentin e Shkencave Teknike, Mirushe Hoxha (profesoreshë në Fakultetin Filologjik të Shkupit) për në Departamentin e Shkencave Shoqërore dhe atë të Linguistikës, nuk kanë arritur të marrin mbështetjen e nevojshme në votimin e parë që bëhet nëpër departamentet respektive, duke u eliminuar kështu nga konkurrimi.

Të njëjtin fat ka pasur edhe kandidatura e Lutfi Zulbearit (Fakulteti i Mjekësisë, UT) që është propozuar nga Universiteti i Tetovës në Departamentin e Shkencave të Mjekësisë. Vetëm dy kandidatë të tjerë, Neritan Ceka (arkeolog) i propozuar si anëtar i jashtëm dhe piktori me origjinë nga Kërçova që jeton në Paris, Omer Kaleshi, si Anëtar Nderi, kanë marrë mbështetjen për të kaluar në fazën finale, në votimin e Kuvendit. Konkursi për pranimin e anëtarëve të rinj me korrespondencë u hap në muajin nëntor të vitit të kaluar, por numri i kandidaturave të propozuara nga pjesa shqiptare ishte i vogël.

Dika dhe Hoxha, të propozuar nga brenda Akademisë, refuzohen për herë të dytë, edhe pse kandidaturat e tyre janë përzgjedhur me kujdes dhe përfaqësojnë individë që kanë dhënë kontribut në fushat në të cilat kanë vepruar dhe meritojnë të jenë pjesë e këtij institucioni. Kështu pati deklaruar akademiku Alajdin Abazi, gjatë prezantimit të tyre.

“Vetëm Kaleshi dhe Ceka arritën të depërtojnë dhe të marrin votat dhe shpresoj që të paktën të votohen edhe në Kuvend”, thotë për KOHA, Abazi. Akademik Abazi ishte skeptik sa i takon fazës së votimit nëpër departamente, ku nuk mund të mos mungonin surprizat dhe këto kandidatura të hasnin në rezistencën e anëtarëve.

Kur tre vjet më parë, AMSHA ndryshoi kriteret e pranimit dhe të aplikimit për anëtarë me korrespondencë – mundësitë për të rritur numrin e akademikëve shqiptarë u dukën reale. Në fakt, vetëm një anëtar arriti të merrte mbështetjen, Izet Zeqiri, si anëtar me korrespondencë dhe të drejtë për tu bërë anëtar i rregullt brenda pesë vitesh. Lidhur me rezultatet e fundit, Zeqiri thotë se është koha që barrierat për njerëzit e shkencës të eliminohen dhe mbështetja dhe promovimi i tyre të nisë që nga vetë institucionet ku kontribuojnë.

“Gara në AMSHA bëhet në kuadër të njësive dhe ky ishte rezultati, por jam i bindur se shumë shqiptarë e meritojnë të jenë pjesë e këtij institucioni. Problemi qëndron në motivimin, promovimin e këtyre individëve dhe mbështetjen që ata duhet ta marrin nga Këshillat mësimorë. Si USHT, UEJL dhe UNT duhet të nxisin dhe të motivojnë kuadrot ambiciozë, duhet të eliminohen të gjitha barrierat që pengojnë njerëzimit e suksesshëm. Nga ana tjetër, ndoshta duhet të ndryshohet edhe Rregullorja e pranimit, pasi në Akademi duhet të hyjnë njerëzit që i duhen dhe jo ata që duan”, thotë Zeqiri.

Nëse kandidatura e Neritan Cekës do ta votohet nga Kuvendi, ai do të jetë anëtari i tretë i jashtëm (Ali Aliu nga viti 2006 – Departamenti i Arteve dhe Rexhep Mejdani – Departamenti i Shkencave Teknike nga viti 2015).

AMSHA ka gjashtë anëtarë shqiptarë, prej të cilëve tre anëtarë të rregullt – Luan Starova (Departamenti i Arteve – nga viti 2003), Alajdin Abazi (Departamenti i Shkencave Teknike – nga viti 2006) dhe Abdylmenaf Bexheti (Departamenti i Shkencave Shoqërore – nga viti 2009).