Arbëri

Mustafa rithekson: Ushtria vetëm në koordinim me SHBA-në dhe NATO-n

Descriptive Text

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh dhe kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar Degën e LDK-së në Prizren, ku mori pjesë në kremtimin e përvjetorit të 27-të të Degës.

Mustafa, pasi i përshëndeti të pranishmit, tha se Kosova gjendet para disa sfidave, e ndër to janë Ushtria e Kosovës dhe liberalizimi i vizave.

“Ne kemi sfidë themelimin e ushtrisë së Kosovës. Do ta themelojmë atë, por dëshirojmë që këtë themelim ta bëjmë në bashkëpunim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe faktorin ndërkombëtar dhe kjo assesi nuk nënkupton mos qëndrueshmërinë tonë në themelimin e ushtrisë, sepse ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë në mënyrë që t’i shfrytëzojmë të gjithë hapat që ushtrinë ta themelojmë në pajtim në partnerët strategjikë”, deklaroi Mustafa, raporton Koha.net.

Kurse për sa i përket liberalizimit të vizave, e cila është e ndërlidhur me kalimin e demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, Mustafa u shpreh i bindur se “ata që kanë ndërtuar kauzë kundër votimit të demarkacionit, kundër kësaj marrëveshjeje, po të ju jepet rasti, do ta votonin atë”.

“Problemi nuk është që është marrëveshje e dëmshme apo jo, problemi është që dikujt po i pengon shkaku i meritave. Kjo marrëveshje duhet të votohet sot, sepse kjo i nevojitet më së shumti qytetarëve të Kosovës, liberalizmi i vizave, lëvizja e lirë e qytetarëve”, tha kryeministri dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Kreu i LDK-së tha se përkrahja që LDK-ja ka, në grupmosha dhe gjini të ndryshme, “do të arrij të tregojë përkushtimin si një parti e qendrës së djathtë me programin e saj të përkrahur nga Partitë Popullore Evropiane, të fitojë përkrahje edhe më të madhe qytetare”.

Ai tha se programi i LDK-së është programi më i mirë në vend dhe se gjatë kohës sa janë në bashkëqeverisje me PDK-në, “janë marrë hapat më të mëdhenj që i ka bërë Kosova dhe do të vazhdojmë me reformat edhe më të thella me përkrahjen e Bashkimit Evropian, por natyrisht sukseseve do të ju përgjigjemi me përgjegjësi si qeveri dhe si deputetë”.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas qëndrimit në Prizren ku mori pjesë në shënimin e 27 vjetorit të themelimit të Degës së LDK-së në këtë komunë, ka vazhduar në Obiliq, ku po ashtu është shënuar përvjetori të 27-të i kësaj Dege.

Duke i falënderuar të pranishmit në Obiliq, ai kujtoi që “nga fillet e saj para 27-vjetësh këtu dhe para 27-vjetësh me Presidentin Ibrahim Rugova, si kryetar i parë i LDK-së dhe si president i parë i vendit dhe me gjithë të arriturat që ne i kemi në kohën e presidentit Rugova që kryesisht ndërlidhen me liri, pavarësi dhe demokraci, ndërlidhet me shtetformimin e Kosovës, ndërlidhen me figurën e madhe kombëtare por para së gjithash shtetërore, sepse Rugova ia vuri gurethemelin këtij shteti”.

“Po ashtu ne e respektojmë punën e gjithë atyre që pasuan programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerësojmë edhe kohën kur shpallëm Pavarësinë, kur e kishim Presidentin Fatmir Sejdiu nga Lidhja Demokratike e Kosovës edhe kohën kur ministrat dhe qeveritarët tanë dhanë një kontribut të rëndësishëm qeverisjen e këtij vendi”, u shpreh Mustafa para qytetarëve të Obiliqit.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i Degës së LDK-së në Obiliq, Memhet Krasniqi, i cili bëri thirrje për bashkim të njerëzve të vullnetit të mirë për ta ndihmuar ndryshimin e politikave qeverisëse lokale në Obiliq.