Arbëri

Veseli: Sakrifica e familjes Jashari, shembull unik në botë

Sakrifica e Adem Jasharit dhe Familjes së tij është rast unik në historinë e njerëzimit. Mesazhi i saj u flet shekujve dhe gjithë popujve: Asgjë nuk është më e çmueshme sesa liria. Kështu tha ndër të tjera, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në seancën solemne për nderë të Epopesë së UÇK-së.

Në fjalimin e tij, Veseli tha se Kosova arriti lirinë, një ëndërr e Adem Jasharit dhe shumë dëshmorëve.

Kryeparlamentari theksoi se shteti ka shënuar mjaftë të arritura, por e presin edhe shumë sfida para vetës, në veçanti për zhvillim ekonomik.

Jemi mbledhur sot në këtë seancë të veçantë, në nderim të njërës prej sakrificave më të mëdha të popullit tonë për liri e pavarësi: sakrificës së Familjes Jashari nga Prekazi dhe Kryeheroit të Kosovës – Komandantit Legjendar Adem Jashari, e nisi fjalën e tij kryeparlamentari Kadri Veseli.

Vitet po kalojnë, por kujtimi për 5 marsin e vitit 1998 mbetet monument i përjetshëm në zemrat e mbarë kombit tonë.

Mbetet dhembja dhe krenaria jonë njëkohësisht.

Atë ditë në Prekaz u ndryshua historia dhe epokat.

Epokës së pritjes dhe jetës së zymtë të nënshtrimit i erdhi fundi.

Nisi epoka e kryengritjes, epoka e ballafaqimit me të keqen, e triumfit mbi të keqen.

Epoka e çlirimit përfundimtar të Kosovës nga robëria njëshekullore.

Epoka e lëvizjes më të lavdishme që ka krijuar populli ynë në histori: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm

Sakrifica e Adem Jasharit dhe Familjes së tij është rast unik në historinë e njerëzimit.

Mesazhi i saj u flet shekujve dhe gjithë popujve: Asgjë nuk është më e çmueshme sesa liria.

Ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998 në Prekaz nxorën para gjithë botës të vërtetën e madhe të Kosovës:

Në njërën anë, kishim regjimin e egër serb të gatshëm për çdo lloj terrori, vetëm që të mbajnë nën sundim Kosovën.

E në anën tjetër, popullin e saj, që kishte vendosur t’i jepte fund njëherë e përgjithmonë robërisë.

Adem Jashari besonte se ëndrra për liri ishte më e fortë se terrori.

Dhe, historia i dha të drejtë atij.

Atë ditë, në Prekaz nisi fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë.

Ëndrra e Adem Jasharit dhe mijëra dëshmorëve të Kosovës u bë realitet.

Të nderuar të pranishëm

Zonja dhe zotërinj

Në këto 20 vjet, Kosova ka shënuar të arritura të mëdha.

Edhe skeptikët më të mëdhenj nuk mund t’i anashkalojnë ato.

Në përvjetorin e 10-të të rënies së Adem Jasharit, Kosova shpalli pavarësinë e saj

Sot, ne jemi një shtet demokratik:

Me standarde të larta të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

Faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Për herë të parë, si komb i rreshtuar drejt.

Partner i qëndrueshëm i aleancës veri-atlantike.

Dhe, të përkushtuar në rrugën e integrimeve evropiane.

Natyrisht, pjesë e rrëfimit tonë të suksesit janë edhe sfidat e mëdha që kemi përpara, sidomos ato të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Nisur nga kjo, konsideroj se në këtë ditë të madhe për kombin tonë, pyetja nuk është se çfarë bënë dëshmorët për Kosovën?

Secili nga ne, i madh e i vogël, e di përgjigjen në këtë pyetje: ata dhanë jetën, që ne të jemi të lirë.

Nuk ka akt më të lartë patriotik që dikush mund të bëjë për vendin e tij sesa ky.

Pyetja që shtrohet sot është tjetër: çfarë po bëjmë ne të gjallët për Kosovën?

A jemi duke i kryer detyrat tona?

A jemi duke e përmbushur siç duhet vullnetin e qytetarëve?

A jemi duke e respektuar veten tonë, shtetin tonë?

A jemi duke punuar për të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi?

E vërteta është se kemi nevojë për një kthesë morale në mentalitetin dhe sjelljen tonë politike.

Të mendojmë më shumë për qytetarin.

Ta pranojmë faktin se jemi në demokraci dhe nuk ka rrugë tjetër të ecjes përpara, përveç rrugës së komunikimit, kompromisit e konsensusit të përbashkët për interesat e vendit dhe të qytetarëve.

Besoj fuqishëm se nuk ka hendeqe të pakapërcyeshme mes nesh.

Ne nuk jemi këtu për t’i dëshpëruar qytetarët, por për t’u dhënë atyre shpresë dhe argumente se ky vend është në rrugën e duhur dhe ka të ardhme të sigurt.

Ne do ta bëjmë këtë.

Natyrisht, së bashku, e të udhëhequr nga amaneti i dëshmorëve dhe ëndrrat e fëmijëve të Kosovës për një të ardhme të sigurt dhe dinjitoze në atdheun e tyre.

I nderuar dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për Adem Jasharin, Familjen e tij dhe gjithë dëshmorët e lirisë.