Arbëri

UPSK: Përjashtimi i AKA-s nga EQAR e kthen Kosovën 20 vjet mbrapa

Descriptive Text

Unioni i Pavarur i Studentëve të Kosovës (UPSK), si organizata më e vjetër studentore në Kosovë, shpreh shqetësimin e studentëve të Universitetit të Prishtinës me zhvillimet e fundit në Arsimin e Lartë.

Përjashtimi i Agjencionit të Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), sipas UPSK, është lajm i keq për studentët, profesorët por edhe për shtetin tonë. UPSK thotë se ky rast duhet të jetë alarm për institucionet tona në mënyrë që në veprimet e tyre politike të kenë kujdes, pasi që largimi nga një mekanizëm kaq i rëndësishëm për arsimin e lartë është goditje e rëndë për sistemin e arsimit të lartë në Kosovë.

“Pasojat e këtij përjashtimi nuk janë të kufizuara vetëm tek studentët të cilët duan të studiojnë jashtë. Ato prekin të ardhmen e Kosovës dhe janë një goditje për orientimin evropian të Kosovës. Pavarësia nga politika dhe shkëmbimi i lehtë i studentëve, stafit dhe ideve janë ndër vlerat kryesore të arsimit të lartë në Bashkimin Evropian. Ndërhyrjet politike në institucionet e arsimit të lartë shkojnë kundër të dy këto vlerave. Ato dëmtojnë kredibilitetin e arsimit Kosovar dhe izolojnë studentët tanë”, thuhet në reagimin e UPSK-së.

Kjo organizatë studentore vlerëson se përjashtimi i Kosovës nga EQAR e kthen vendin 20 vite mbrapa sepse “Kosova ka qenë ndër pak vende të Ballkanit Perëndimor që ka qenë pjesë e një mekanizmi kaq të rëndësishëm për cilësinë në arsimin e lartë”.

“MASHT ka pasur njohuri që nga muaji nëntor që AKA mund të përjashtohet nga EQAR dhe gjithë këta muaj ka neglizhuar teksa përjashtimi nga ky mekanizëm është përgatitur. Ne ftojmë të gjitha palët relevante, që të paktën tani që është marrë vendimi të marrin të gjitha masat e duhura që Kosova të rikthehet në këtë mekanizëm”, thotë UPSK në këtë reagim.

Garantimi i pavarësisë së AKA-së dhe institucioneve tjera të arsimit të lartë, sipas UPSK-së, duhet të jetë prioritet për Kosovën.

Organizata më e vjetër studentore propozon që në të ardhmen anëtarët e KSHC të AKA-së të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës përmes një procedure që lejon kandidimin dhe propozimin e të gjithë kandidatëve të përgatitur për këtë pozitë, “e jo të kufizohet vetëm në rrethin e njerëzve që i njeh Ministri”.

Kujtojmë se ditë më parë, EQAR bëri të ditur se AKA është përjashtuar nga ky institucion për shkak të ndërhyrjeve politike që kanë ndodhur në Agjencinë Kosovare të Akreditimit.