Arbëri

KITU i shqetësuar me përjashtimin e AKA-s nga EQAR

Descriptive Text

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU) me një kumtesë për medie thotë se e ka pranuar me shqetësim lajmin për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), transmeton Koha.net.

Sipas kumtesës shkarkimi arbitrar i të gjithë anëtarëve të Bordit të AKA nga Qeveria e Kosovës, përfshirë edhe ndërkombëtarët, ka shkaktuar dilema të arsyeshme për kapacitetin e Agjencisë për të vepruar jashtë ndikimit të politikës ditore, si në vend ashtu edhe tek organizatat ndërkombëtare.

KITU thotë se dilema të tilla ka pasur edhe më herët, pasi, gjatë historisë së saj 10-vjeçare, AKA, jo një herë, është vënë në shërbim të interesave politike dhe atyre biznesore. Megjithatë, sipas KITU-s në vitet e fundit, AKA ka treguar një përkushtim në rritje, ndonëse jo i kënaqshëm, për t’i adresuar problemet e cilësisë në arsimin e lartë, që ka rezultuar me zvogëlimin e numrit të programeve të akredituara.

Me përjashtimin e AKA nga EQAR, Kosovës i është shkaktuar dëm i madh që shkon përtej imazhit dhe funksionimit normal të AKA, thotë kumtesa e KITU. Sipas saj diplomat e lëshuara nga institucionet e akredituara nga një Agjenci, e cila, është shpallur jokredibile nga një mekanizëm prestigjioz evropian, do të kenë trajtim të veçantë në vendet evropiane dhe pasojat do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës që duan t’i vazhdojnë studimet ose të punësohen në ato vende.

Në fund kumtesa ka parashtruar disa kërkesa Kuvendi, Qeveria dhe MASHT-i:

1. Të jepet arsyetimi i plotë për shkarkimin e anëtarëve të bordit të AKA;

2. Të tërhiqen emrat e propozuar për bordin e ri dhe të nisë një proces transparent të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj dhe

3. Të fillojë iniciativa për ndryshimet e nevojshme ligjore që pamundësojnë veprime të tilla të pamatura në të ardhmen.

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU) përbëhet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Sbunker, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Demokracia për Zhvillim (D4D), Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), OJQ Admovere, Qendra Encompass, Instituti EdGuard, Organizata Çohu, dhe Qendra për Kurajo Politike (CPC)