Arbëri

LDK dhe Vetëvendosje bashkë kundër ngritjes së pagës së Kryeministrit

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria të anulojë vendimin për rritje pagash të marr në dhjetor të vitit të shkuar, raporton KTV.

Në interpelancën e kryeministrit për këtë çështje shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ky vendim është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe është konflikt i hapur interesi.

“Vendimi i Qeverisë i tejkalon kompetencat e përcaktuara me rregulloren e Qeverisë. Ky vendim është i papranueshëm pasi krijon diferencë të madhe me elemente diskriminuese në mes të të ardhurave të ndryshme shoqërore me pagat e zyrtarëve të kabinetit qeveritar” ka thënë Hoti.

Ai ka kërkuar që sa më shpejtë të anulohet vendimi si dhe të sillet në Kuvend Ligji për Pagat në sektorin publik.

Edhe Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka mbështetur kërkesën e LDK-së për anulim të vendimit, derisa e njëjta është renditur edhe si propozimi i parë i Vetëvendosjes për mocion në fund të seancës. Gjithashtu Vetëvendosje kërkon heqjen e kategorizimit sipas moshës për pagën minimale dhe lartësia e pagesës së skemës sociale çdo vit të përshtatët varësisht lartësisë së çmimeve.

Haxhiu ka përmendur faktin sesi Agjencia Kundër korrupsion e kishte konsideruar vendimin si të paligjshëm e që kanë konsumuar veprën penale të konfliktit të interesit. Por, kryeministri ka thënë se e ka parë opinionin e AAK-së e pak a shumë e ka lidhur atë politikisht.

“Ne në Kosovë po jetojmë, i dimë pak a shumë pikëpamjet e secilit zyrtar, të gjithë jemi jo partiak e partiak. E kemi parë mënyrën sesi I kanë argumentuar ato” ka thënë kryeministri. Më tutje ai ka përmendur faktin se paga e kryeministrit është në numrin 69 aktualisht.

“Në listën e renditjes së nivelit të pagave kryeministri i vendit tuaj është në numër 69. Pra janë 69 zyrtar të tjerë që marrin pagë më të madhe se kryeministri. Po ashtu 69 me numër është edhe kryetari i Këshillit Prokurorial e Gjyqësor të Kosovës dhe kryeprokurori i shtetit. Në bazë të përgjegjësive nuk duhet të jenë kryeministri e ministra në numër 69”.

Ai ka thënë se po pret vendimin e kushtetueses dhe veprimet do të jenë në bazë të vendimit të kësaj gjykate.