Arbëri

Sërish shtyhet seanca në mungesë të numrave

16:15 - Kuvendi ka njoftuar edhe zyrtarisht se është shtyrë seanca për ratifikimin e demarkacionit me Malin e zi, për një afat të pacaktuar.


14:22 - Seanca ku pritej të debatohej dhe më pas të votohej për Projektligjin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është shtyrë për një ditë të pacaktuar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, siç mëson KTV-ja, i ka telefonuar shefat e Grupeve Parlamentare dhe u ka thënë se seanca nuk vazhdon më sot për shkak të mungesës së numrave për të votuar demarkacionin, raporton Koha.net.


Kuvendi në pauzë

12:50 - Kuvendi i Kosovës momentalisht gjendet në pauzë pas kalimit të Projektligjit të ndryshuar të demarkacionit në Komisionin për Punë të Jashtme.

Ky komision, në mbledhjen e dytë, i votoi ndryshimet e Projektligjit të ri, projektligj i cili më pas do të dërgohet në Kuvend ku do të ketë debat dhe në fund edhe votim.

Herën e parë, Komisioni për Punë të Jashtme bëri një gabim gjatë numërimit të votave të anëtarëve, duke thënë se ishin pesë vota pro, mirëpo në një fotografi të siguruar nga KTV, u pa se janë gjashtë duar të ngritura.

Për pasojë, Komisioni u rimblodh dhe në herën e dytë pati 7 vota pro.

Kuvendi ka gjasa të vazhdojë pushimin deri në orën 14:00.


Komisioni procedon në Kuvend Projektligjin për demarkacion

12:18 - Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, në mbledhjen e tij të dytë, ka siguruar votat e 7 deputetëve anëtarë të këtij komisioni.

Herën e parë pati gjashtë vota, mirëpo u bë një gabim gjatë numërimit dhe u tha se janë vetëm 5 sosh.


Rimblidhet Komisioni për Punë të Jashtme

12:04 - Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme është mbledhur sërish për të votuar në lidhje me Projektligjin e ndryshuar për demarkacionin me Malin e Zi.

Herën e parë pati gjashtë vota, mirëpo u bë një gabim gjatë numërimit dhe u tha se janë vetëm 5 sosh.

Tani Komisioni është në pritje të anëtarëve të Vetëvendosjes.


Numërimi i votave në Komision është bërë gabim, janë gjashtë vota pro

11:53 - Ndonëse kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, ka deklaruar se kanë qenë vetëm pesë vota për Projektligjin e ri të demarkacionit, në një foto të siguruar nga KTV shihet se të ngritura janë gjashtë duar.

Osmani i ka thënë më pas KTV-së se është bërë numërim i gabuar i votave.

Image

Duart e ngritura janë nga Doruntinë Maloku (LDK), Time Kadrijaj (AAK), Vjosa Osmani (LDK), Danush Ademi (6 Plus), Evgjeni Thaçi Dragusha dhe Elmi Reçica, të dy nga PDK.


Komisioni në pritje të interpretimit ligjor nëse votimi ka kaluar vetëm me 5 vota

11:44 - Vetëm 5 minuta ka zgjatur mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme.

Pesë vota kanë qenë pro ndryshimit të Projektligjit nga 10 anëtarë, ndërsa 4 anëtarë të Vetëvendosjes dhe Zafir Berisha nga Nisma nuk kanë marr pjesë fare në votim.

Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit, ka thënë se në këtë situatë duhet të kërkojnë interpretim ligjor nga zyra ligjore e Kuvendit nëse ndryshimet miratohen vetëm me 5 vota.

Por kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk do të duhej të pranohej meqë nuk kanë qenë 6 vota.


Pacolli thotë se janë siguruar votat për demarkacionin

11:36 - Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli në konferencë për media ka thënë se janë siguruar votat për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi, derisa ka treguar se me deputetët e Vetëvendosjes biseduan për “kauzën” që qytetarët të udhëtojnë pa viza.

“Nuk e di a do të mund të vazhdojë seanca shkaku i vizitës [së delegacionit të BE-së] dhe e di se sot apo pak më vonë demarkacioni do të kalojë. Nëse kalon demarkacioni ne kemi fituar të drejtën që ne të udhëtojmë pa viza diku kah vjeshta”, ka thënë Pacolli.

“Me VV-në nuk kemi biseduar se a do ta votojnë apo jo demarkacionin, por biseduam për kauzën tonë që njerëzit të udhëtojë pa viza. Votat i kemi, nuk kisha thënë se nuk i kemi votat”, ka thënë veç të tjerash ai.


Haradinaj: Mund të shtyhet votimi

11:28 - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të ketë debat dhe më pas do të shkohet në votim për demarkacionin.

“Tani komisioni është në përgatitje të procedurave ligjore për tekstin e ri të Projektligjit. Kthehemi më pas në kuvend, do të ketë debat e diskutime, e më pas do të shkojmë me votim”, tha kryeministri Haradinaj, raporton Koha.net.

“Nuk e di a janë dy apo më shumë, por seanca do të vërtetojë se jemi unikë”, tha ai.

“AAK është unike për çështjen e demarkacionit. Mund të ndodhë të shtyhet seanca nëse e kalkulojmë në aspektin kohor sepse disa deputetë shqiptarë janë në Podgoricë”, tha Haradinaj.


Hoti fton Vetëvendosjen që ta votojë demarkacionin

11:22 - Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka ftuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që të votojnë demarkacionin me Malin e Zi.

Në një konferencë për media ai ka ftuar VV-në, siç ka thënë, “që ta mbyllim këtë kauzë të rëndësishme, që të liberalizojmë vizat dhe të kthehemi në agjendën normale”.

“Sot është një ditë e veçantë sepse kemi miqtë e Komisionit Evropian që janë për të biseduar me ne për të siguruar perspektivën evropiane të Kosovës. LDK-ja është e kënaqur që është arritur konsensusin për demarkacion”, ka thënë ai.


Deputetët votojnë shmangien e rregullores për demarkacionin

11:16 - Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij se marrëveshja aktuale e demarkacionit me Malin e Zi duhet të tërhiqet nga Kuvendi për votim.

“Lëvizja Vetëvendosje është kundër shmangies për procedurat e përshpejtuara pasi mendojmë se versioni i tillë i demarkacionit duhet të tërhiqet krejt. Komisioni Shtetëror ka ardhur te gjetjet problematike dhe ky raport 600 faqe ka sjell të dhëna kredibile se komisioni i Murat Mehës ka bërë shkelje serioze sa i përket procedurave teknike”, ka thënë Konjufca.

“Në momentin që na vjen neve një raport i tillë, kryeministri me automatizëm do të duhej ta kishte tërhequr marrëveshjen aktuale dhe ta kthente mbrapsht. Hedhja në votim është paradoks në vetvete, për shkak se keni marrëveshjen dhe raportin i cili thotë se nëse votohet marrëveshja deputetët marrin një barrë të madhe sa i përket aspektit penal”, ka shtuar ai.

Ndërsa LDK, PDK, AAK, Nisma dhe 6 Plus pajtohen për shmangie të rregullores.

Kurse, Projektligji për demarkacionin, i dakorduar mes partive politike shqiptare në Kuvend përjashto Vetëvendosjen, si dhe pakicave tjera jo serbe, i lexuar nga shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkuar në Komisionin për Punë të Jashtme, i cili proceduralisht duhet të kalojë komisionin për t’u kthyer sërish në Kuvend.


Nis seanca për demarkacionin

11:08 - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka hapur seancën e jashtëzakonshme për votimin e demarkacionit.

Në kohën e hapjes së seancës, në sallë gjendeshin 67 deputetë.

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën me një minutë heshtje në nderim të të rënëve në epopenë e Likoshanit dhe Qirezit.


Shala: Limaj, meritori i bashkimit të votës për demarkacionin

10:58 - Haxhi Shala, deputet i Nismës Socialdemorkate, ka thënë se nuk e di se kush do të jenë ata deputetë që do të votojnë pro demarkacionit, por ka shprehur shpresën e tij se demarkacioni do të kalojë sot.

Ai, në një intervistë në KTV, tha se e tërë kjo ngjarje është duke iu falënderuar liderit të Nismës, Fatmir Limajt.


Kadrijaj: Votoj pro demarkacionit sepse i besoj punës së kryeministrit Haradinaj

10:48 - Time Kadrijaj, deputete e AAK-së, ka thënë se partia e saj do t’i përgjigjet ftesës për seancë, por se a do të mbahet a jo, nuk dihet.

“Gjatë gjithë kohës së kundërshtimit kemi kërkuar që të rishikohet kjo Marrëveshje, dhe pas nënshkrimit të deklaratës së dy Prwesidentëve do të korrektohet kjo Marrëveshje. Tash nuk kemi arsye për të mos e votuar demarkacionin”, ka thënë deputetja e AAK-së në një intervistë në KTV.

Sa i përket çështjes së votave, duke qenë se deri më tani janë siguruar vetëm 78 dhe nevojiten edhe 2 për të kaluar kjo çështje, Kadrijaj ka thënë se pret se do të sigurohen votat e nevojshme dhe demarkacioni të kalojë, pa dashur të përmendte emra.

Ajo tha se do të votojë për demarkacionin sepse i beson punës së kryeministrit Ramush Haradinaj.


PDK, optimiste se do të votohet demarkacioni

Sot do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku do të bëhet Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, shpreson se sot do të votohet demarkacioni.

“Shpresoj që të ratifikojmë këtë marrëveshje. Është tmerr që qytetarët e Kosovës ende po presin me muaj për një termin për vizë. Jemi vetëm ne kosovarët të izoluar”, tha ajo në një intervistë për televizionin publik.

Hoxha ka ftuar të gjitha partitë shqiptare, konkretisht Vetëvendosjen, që të mendojnë për të ardhmen dhe të votojnë pro demarkacionit. “Është shumë me rëndësi që të votojmë këtë Marrëveshje, pasi që sot do të vijë për vizitë delegacioni i lartë nga BE-ja”, tha ajo.

Sipas saj, ratifikimi i Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, do të hapë shtigje të reja për Kosovën.