Arbëri

Specializantët e Mjekësisë së Përgjithshme me protestë kërkojnë pagat e tyre

Ka dhjetë muaj që Agron Hondozi është i angazhuar si specializant në Klinikën e Stomatologjisë në QKUK, por nuk është paguar asnjëherë për punën e tij.

Ai thotë se po has në shumë vështirësi dhe s’mund të vazhdojë më punën si vullnetar, raporton KTV.

Hondozi dhe dhjetëra specializantë të Mjekësisë së Përgjithshme dhe të Stomatologjisë kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë.

Kërkesa e tyre e vetme është që të paguhen për punën që e kryejnë dhe të kthehen në specializantë të rregullt.

Ata, përmes protestës, kanë thënë se po shprehin pakënaqësitë për mospërmbushjen e premtimeve të dhëna nga Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë pasdite se specializantët nuk kanë pranuar të takohen me zyrtarë të tjerë, meqenëse ministri Uran Ismaili gjendet në vizitë jashtë Kosovës.

“Ministria e Shëndetësisë ka vullnetin dhe do të përpiqet maksimalisht që kjo çështje të zgjidhet me rishikimin e buxhetit në muajin qershor, në mënyrë që specializantët të mund të futen në sistemin e pagave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.