Arbëri

Nxënësve dhe mësimdhënësve po u pëlqen metoda e re e mësimit me aktivitete

“Bingo”, quhet aktiviteti me të cilin nxënësit e klasës së pestë në Shkollën Fillore “Selami Hallaçi” në Gjilan, po e zhvillojnë orën mësimore në lëndën e Edukatës Qytetare.

Në kuadër të këtij aktiviteti, secili nxënës mundohet që sa më shpejt t’ua bëjë 16 pyetje nxënësve të tjerë ku më pas ata do të përgjigjen, raporton KTV.

Reis Hashani, i cili i përfundoi pyetjet i pari, po merr informacione nga shokët e klasës rreth njohurive të tyre për lëndën Edukatë Qytetare.

Mësimdhënësja Ismete Isufi Sadiku thotë se për 6 vjet sa punon në këtë profesion, asnjëherë më shumë se deri tash nuk i ka pëlqyer mësimdhënia.

Ajo thotë se bashkëpunimi i nxënësve në klasë krijon zhurmë e tollovi, por në këtë mënyrë të gjithë janë të angazhuar.

E, edhe nxënësit ndihen të kënaqur me këtë formë të mësimit.

Forma interaktive e të mësuarit është mundësuar nga Organizata Joqeveritare “Toka”.

Fillimisht, janë trajnuar 32 mësimdhënës dhe ky projekt është shtrirë në 13 fshatra të 11 komunave të ndryshme të Kosovës.

Koordinatori për edukim në “Toka”, Naim Robelli, thotë se nxënësit, mësimdhënësit, si dhe drejtoritë komunale të arsimit, e kanë mirëpritur këtë iniciativë dhe mësimdhënësit janë përshtatur shumë shpejt me kërkesat e projektit.

Sipas tij, kjo formë e mësimit do të vazhdojë.