Arbëri

Vetëvendosje: Pas zmbrapsjes nga Haradinaj, projektligji për demarkacion është krim dhe tradhti

Vetëvendosje e ka quajtur pazar fjalësh marrëveshjen mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe koalicionit qeverisës me LDK-në për votim të demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas VV-së, ky “pazar fjalësh” ia humb Kosovës 8200 hektarë.

“Pas fjalëve të forta në seancën e së premtes në Kuvend, Kryeministri Haradinaj qenka marrë vesh me LDK-në për votimin e demarkacionit me Malin e Zi. E kanë shtuar fjalën ‘si orientim’ për raportin e Komisionit Bulliqi, duke dashur ta krijojnë përshtypjen që edhe po e përfshijmë Raportin që akuzon e rrënon Komisionin Meha, edhe të mos e marrim seriozisht atë. Kështu nuk shkruhen e nuk bëhen ligjet. Ky pazar fjalësh na i humbet 8,200 hektarë njësoj. Ky Projektligj ishte i padrejtë dhe i dëmshëm e tani bëhet edhe më i keq pas këtyre akrobacioneve; ai është krim dhe tradhti që duhet kundërshtuar e nuk duhet legjitimuar”, ka thënë Vetëvendosje.

Vetëvendosje thotë se PDK-ja dhe LDK-ja po e shfrytëzojnë ambicien vetjake të Haradinajt, “vetëm sa për t’i kaluar këto projekte të dëmshme”. 

“Brenda vitit AAK-ja ndryshoi qëndrim për demarkacionin. Brenda ditës ndryshoi qëndrim për Komisionin Bulliqi. Siç duket, PDK-ja e LDK-ja janë në pajtim për ta shfrytëzuar ambicien vetjake të Ramush Haradinajn vetëm sa për t’i kaluar këto projekte të dëmshme. Më pas, kjo qeveri pa numra, edhe ashtu mund të bjerë. Nuk ka gjë më të keqe se sa kthimi në opozitë pas një qeverisjeje të dështuar. Kush mund të bashkëpunojë më me ty, nëse ia vendos vetes vulën e tradhtarit? Duke qenë se Kryeministri i njeh mirë të gjitha argumentet kundër këtij versioni të demarkacionit dhe pavarësisht kësaj po do që ta kalojë e bën atë edhe më përgjegjës se të tjerët. Qëndrimi i tij është zmbrapsje. Ai është zmbrapsur me t'u bërë Kryeministër dhe po tërhiqet plotësisht tash kur e ka mundësinë që t'ia shpëtojë Kosovës 8,200 hektarë, ose t'i falë ato për të mbetur thjesht Kryeministër. Asnjë lakmi nuk mund të jetë mbi shtetin dhe territorin e Kosovën. Askush nuk është i autorizuar për të nxjerr tokën e shtetit të Kosovës në pazare”, thuhet më tej në reagimin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje ka thënë se nuk e mirëkupton këtë marrëveshje dhe nuk do ta votojë projektligjin. Ajo po ashtu ka thënë se do ta kundërshtojë këtë projektligj.