Arbëri

Trajkoviq kufirin e Kosovës me Malin e Zi e Maqedoninë e konsideron kufi shtetëror të Serbisë

Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Politikania serbe nga Kosova, siç e quan “JUGpress” Rada Trajkoviqin, thotë se “kufiri me Malin e Zi dhe Maqedoninë në fakt është kufiri shtetëror i Serbisë dhe në këtë nivel duhet të punohet dhe të negociohen demarkacionit”, transmeton Koha.net.

Sipas saj, bashkësia ndërkombëtare po bën precedan duke i shndërruar kufijtë administrativë të ish-Jugosllavisë në kufij shtetesh të sapokrijuara.

Duke komentuar paralajmërimet se Lista Serbe do të votojë në Kuvendin e Kosovës për demarkacionin, Trajkoviq tha se “Lista Serbe me pjesëmarrjen e saj, nëse voton për demarkacionin, në fakt përfshihet në legalizimin e kufijve të Kosovës si kufi ndërkombëtarisht të pranuar”.

“Meqë këto marrëveshje ratifikohen në Kombet e Bashkuara, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, për çka Serbia do të marrë vendim më vonë nëse, si dhe kur do të mund përfaqësohet Kosova, pa marrëveshje me Beogradin”, ka thënë ajo, transmeton Koha.net.

Rada Trajkoviq konsideron se për një vendim të tillë, “vendimtar është qëndrimi i udhëheqjes së Beogradit, ose e shtetit të Serbisë, dhe jo i Listës Serbe, ndryshe shkel drejtpërdrejt Kushtetutën dhe në këtë mënyrë drejtpërdrejt komprometon vullnetin e serbëve nga hapësira e Kosovës dhe Metohisë”.

“Meqë, thuaja askush nga serbët nuk ia ka dhënë mandatin që ata të vizatojnë kufijtë e Kosovës si shtet”, është shprehur ajo.