Arbëri

PDK përshëndet arritjen e konsensusit nacional për demarkacionin

Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur arritjen e konsensusit nacional mes partive politike për ratifikimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kjo parti, përmes një komunikate për media, ka falënderuar të gjitha subjektet politike parlamentare për gatishmërinë e treguar për dialog dhe për qasjen konstruktive në arritjen e këtij uniteti.

“PDK çmon rolin unifikues që kryetari i Partisë dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka treguar gjatë gjithë kohës në tërë këtë proces. Vlerësojmë se kjo frymë e bashkëpunimit duhet të na përcjellë edhe në procese të tjera shumë të rëndësishme për vendin”, thuhet në komunikatën e PDK-së, raporton Koha.net.

Partia e Veselit u ka bërë thirrje subjekteve tjera politike parlamentare që të bashkohen në punën e përbashkët për të mirën e qytetarëve të vendit.

Edhe nënkryetari i kësaj partie, njëherësh Zëvendëskryeministër i Qeverisë, Enver Hoxhaj, ka thënë se fryma e konsensusit është ajo që do t’i mundësojë Kosovës të ecën me një shpejtësi të re drejt integrimit euro-atlantik.

“Të mërkurën kemi qartësi dhe konsensus për ratifikimin e demarkacionit dhe i hapim rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. I ftoj të gjithë deputetët që ta votojnë këtë ligj dhe të ecim përpara me temat e tjera të rëndësishme për vendin”, deklaroi Hoxhaj.