Arbëri

Haradinaj: Statusin e punëtorëve të viteve ’90 e kemi obligim moral dhe do ta zbatojmë

Descriptive Text

Kryeministrit i Kosovës, Ramush Haradinaj, në Kongresin e 7-të Zgjedhor të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), premtoi për zgjidhjen e statusit të punëtorëve të viteve ’90.

Duke folur për statusin e punëtorëve të viteve të ’90-ta, kryeministri tha se e kanë obligim në mos tjetër e kanë obligim moral dhe do ta zbatojnë. Ai tha se partneritetin dhe dialogun që e kanë do ta bëjnë të sinqertë, jo rezultat i kushtëzimeve, dhe presioneve, po rezultat i ndjenjës dhe interesit, që atë nder, atë krenari, atë vlerë e cila është unike në botë, zhvillimi i mësimit në vitet ’90-ta, të shpërblehet në vazhdimësi.

“Është detyrë e jona t’i aftësojmë fëmijët tanë dhe statusin e punëtorëve të viteve të ’90-ta e kemi obligim në mos tjetër e kemi obligim moral”, ka thënë Haradinaj

“Nga shkolla e kupton se kush është ai popull dhe në çfarë parametrash vepron”, ka shtuar ai, duke e vlerësuar rëndësinë e zhvillimit të procesit arsimor në vitet ’90-ta.

Të pranishëm në këtë Kongres ishin edhe përfaqësuesit e sindikatave, nga Shqipëria, Holanda, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina.