Me rastin e 19-vjetorit të fillimit të luftës frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qytetarë të shumtë nga Dukagjini dhe mbarë vendi kanë bërë homazhe në kompleksin memorial të UÇK-së në Gllogjan.
Deputeti Daut Haradinaj, tha se përkujtimi i të rënëve me rastin e 24 marsit, ka rëndësi të veçantë, ngase kjo datë është e ndërlidhur edhe me fillimin e bombardimeve të NATO-së mbi caqet serbe.
“Po shihet se interesimi dhe respekti i gjithë kësaj popullate për me i nderuar ata që kanë dhënë shumë për këtë vend. Ju jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë marrë mundin me ardhur… Këtu janë dëshmorë prej të gjitha trojeve shqiptare, por kryesisht të fshatit tonë. Gjithsejtë janë 84, por edhe Beg Riza nga Komanova, do të thotë 85”, tha Haradinaj.
Kushtrim Shala, djali i dëshmorit Demë Shala, i cili prehet në këtë memorial, theksoi se për çdo përvjetor bënë homazhe tek varri i babit të tij, me të cilin ndihet krenar për sakrificën e dhënë ai me dëshmorët tjerë të kësaj zone.
“Unë po e përkujtoj babain tim sot, i cili është vrarë në luftë. Vijë për çdo 24 mars, nuk e harroj kurrë… jam shumë krenar për sakrificën e dhënë të babit tim të cilin ma kanë mbytur në luftë dhe gjithë familja ndihen krenarë me veprën e babait tonë”, tha Kushtrimi.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, theksoi se betaja e hovshme e UÇK-së, meritat e dëshmorëve të fshatit Gllogjan dhe të gjithë Dukagjinit, janë një sakrificë e cila ka bërë një kthesë të madhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Kjo betejë tregon zhvillimin e hovshëm të luftës të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës sidomos të sakrificës të madhe të familjes Haradinaj, të Zonës Operative të Dukagjinit, e po ashtu të sinkronizimit të veprimeve me ditën që lidhet me bombardimet e NATO-s e që është një lidhje e pa shkëputeshe e forcave aleate nga ajri dhe forcave tokësore te UCK-se. Prandaj, kjo mënyrë e veprimit, ka bërë që popullit tonë t’i shkurtohen vuajtjet, liria të vij më shpejt dhe po ashtu të lidhet një aleancë e fuqishme, e cila është sot e asnjë dite e që do të vazhdojë edhe me themelimin e ushtrisë së Kosovës”, theksoi Isufi.
-
24 mars 2017 17:07
-
Shpërndaje në: