Arbëri

Pas lajmit në KTV drejtoria e SHSKUK-së kërkon nga Policia hetime për ryshfet në punësim

Descriptive Text

Menjëherë pas lajmit të transmetuar në Kohavision, për dyshime se me ryshfet prej 2 deri në 5 mijë euro mund të punësohet në SHSKUK, drejtoria e këtij institucioni është vënë në lëvizje. I ka kërkuar Policisë së Kosovës që të hetojë këtë rast.

“Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, njofton opinionin se ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar e Kosovës, dr. Basri Sejdiu, ka kërkuar zyrtarisht nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga departamenti për hetime të inicioj hetimet dhe hulumtime e menjëhershme në lidhje me pretendimet e kandidateve që kanë aplikuar në konkursin e fundit për infermiere të profileve të ndryshme në QKUK”, thuhet në njoftimin për media të SHSKUK-së.

Lexo edhe: 2 deri në 5 mijë euro ryshfet për një vend pune në SHSKUK

“Këto pretendime janë shfaqur në lajmet qendrore në Kohavision (KTV), ku mes tjerash disa kandidate kanë deklaruar se janë dhënë para për një vend pune. Drejtoria e SHSKUK pret nga Policia e Kosovës të hulumtojë pretendimet dhe sqarohet në tërësi kjo situatë, meqë ka individë që dëshirojnë të njollosin këtë proces dhe SHSKUK në tërësi. SHSKUK do të ofrojë bashkëpunim dhe përkrahje të plotë për hulumtim të tërësishëm të situatës dhe inkurajojnë të gjithë kandidatët që kanë fakte dhe argumente të paraqesin ato tek organet hetuese në mënyrë që mos të lejohet që askush të njollos dhe abuzoj me detyrën zyrtare”, thuhet më tej në njoftim.