Arbëri

Implementimi me kohë i projekteve nga huamarrja, kursen buxhetin e Kosovës

Në vazhdën e aktiviteteve për të monitoruar implementimin e projekteve që financohen nga huamarrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot Ministria e Financave së bashku me Bankën Botërore organizuan një tryezë me të gjithë ministrat dhe sekretarët, të cilët në kuadër të ministrive të tyre implementojnë projekte me financim nga huamarrja nga Banka Botërore.

Qëllimi i tryezës ishte që diskutimet të kontribuojnë më tutje në ngritjen e vetëdijes dhe përkushtimit të secilit përgjegjës në kuadër të ministrive dhe agjencive të linjës, për implementim sa më efektiv dhe efikas të të gjitha projekteve në fjalë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza theksoi se projektet me financim përmes huamarrjes/kredive shtetërore bartin koston e tyre financiare mbi shumën e shpenzuar e që është interesi, por dhe tarifa të tjera të aplikueshme mbi shumën e patërhequr. Prandaj, implementimi me kohë i projekteve kursen buxhetin e Kosovës - në njërën anë, dhe në të njëjtën kohë implementimi efikas i tyre kontribuon në rritje ekonomike.

Me këtë rast, ministri Bedri Hamza gjithashtu kërkoi nga të gjitha ministritë dinamizëm të shtuar në procesin e implementimit të projekteve dhe përkushtim në shpenzim transparent dhe efektiv të fondeve të huamarrjes.

“Gjithashtu, implementimi me kohë i projekteve aktuale krijon mundësi të reja për Ministrinë e Financave që karshi Bankës Botërore të kërkojë fonde shtesë me kushte të favorshme kreditore dhe të financojë projekte tjera zhvillimore për Kosovën”, shtoi ministri Hamza.

Shefi i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, gjatë takimit me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës si palë implementuese të projekteve përkatëse, të cilat financohen përmes huamarrjes nga Banka Botërore, tha se Banka Botërore ka qenë dhe do të jetë e gatshme që ta ndihmojë Kosovën në fusha të ndryshme, të cilat ndikojnë në zhvillimin e Kosovës. Ndërsa, takimet për të diskutuar për projektet të cilat janë në implementim e sipër janë të mirëseardhura.

“Institucionet e Kosovës duhet të rrisin angazhimet e tyre për të përfunduar projektet sipas dinamikës së paraparë për të vetmen arsye se këto projekte kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve të vendit dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve” shtoi z. Mantovanelli.