Arbëri

MPJ dënon ashpër heqjen e dhunshme të flamujve të Turqisë në Prizren

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, përmes një reagimi për media thotë se “dënon ashpër heqjen me dhunë të flamujve të Republikës së Turqisë në Prizren”, duke e cilësuar këtë veprim si akt vandal nga persona të papërgjegjshëm që kanë për qëllim dëmtimin e shtetit demokratik dhe multietnik të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme kërkon që autorët të vihen para drejtësisë dhe të japin përgjegjësi për veprimet e tyre të papërgjegjshme dhe të dëmshme.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka komunikuar me Ambasadoren e Turqisë në Kosovë ku e ka dënuar ashpër aktin si të tillë.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë të shkëlqyera dhe si të tilla ato nuk do të pengohen e as dëmtohen nga kurrfarë akti vandal e të izoluar që nuk ja duan të mirën Kosovës dhe marrëdhënieve tona miqësore me Turqinë”, ka deklaruar ministri Hoxhaj, citon komunikata e MPJ-së.