Arbëri

LDK e Vetëvendosje me qëndrime të kundërta për demarkacionin

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mërkurën, janë takuar me ambasadorin amerikan, Greg Delawie, dhe shefen e Zyrës së BE-së, Natalia Apostolova, ku temë e diskutimeve ka qenë marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, raporton KTV.

Në takim, deputetët i kanë siguruar Delawine dhe Apostoloven se votat e tyre do të jenë pro marrëveshjes. Por kundër ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi vazhdon të jetë Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje është e vendosur të mos ndryshojë qëndrim kundër demarkacionit me Malin e Zi.

Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, e ka quajtur mashtrim deklarimin se me ratifikimin e demarkacionit do të bëhet liberalizimi i vizave.

Sipas Kurtit, ngutja e Thaçit dhe Haradinajt për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit nuk është gjë tjetër veçse tentim për shpëtimin e karrigeve të tyre, por jo për qytetarët dhe liberalizimin e vizave për ta.

Deputeti Glauk Konjufca theksoi se marrëveshja Thaçi-Vujanoviq nuk ka asnjë obligim për Malin e Zi.

Por ndryshe nga deputetët e Vetëvendosjes, ata të LDK-së kanë konfirmuar edhe njëherë se votat e tyre do të jenë pro marrëveshjes së demarkacionit.

Deputetë të këtij subjekti, gjatë ditës, kanë mbajtur takime të ndara me ambasadorin amerikan, Greg Delawie, dhe shefen e Zyrës së BE-së, Natalia Apostolova.

“Ambasadori Dellawie dhe Apostolova vlerësuan lart kontributin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë proces dhe konsistencën për integrimet euroatlantike”, thuhet në njoftimin për media të këtij subjekti politik.

Në takim morën pjesë edhe deputetët Vjosa Osmani, Armend Zemaj, Anton Quni, të cilët në mandatin e kaluar ishin kundër marrëveshjes së Demarkacionit.