Arbëri

Raporti i Bulliqit për demarkacionin nuk shkon në Kuvend

Descriptive Text

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë të enjten para vetes marrëveshjen e “modifikuar” për demarkacion, sipas versionit të Murat Mehës, por që është përfshirë edhe deklarata e nënshkruar nga presidentët Thaçi e Vujanoviq, raporton KTV.

Në projektligjin e ri nuk përfshihet asgjë nga raporti i Bulliqit që kryeministri një ditë më herët tha se të gjitha do të votohen si një dokument i vetëm në Kuvend.

Së paku dy herë të martën kryeministri Ramush Haradinaj, ka përsëritur se deputetëve të Kuvendit, bashkë me marrëveshjen e 2015-s, do t’u shkojë për votim edhe raporti i komisionit aktual për demarkacion në krye me Shpejtim Bulliqin.

Në mbledhjen e parë të Qeverisë të martën tha se do të shkojnë të gjitha dokumentet bashkë, e në mbledhjen e dytë përsëriti se të gjitha do të jenë një dokument i vetëm.

Por, ajo që deputetët pritet të votojnë, e që është përfshirë në projektligjin e modifikuar, është veç marrëveshja e vjetër që i jep të drejtë raportit të Murat Mehës që disa vite më parë Haradinaj ia pati hedhë në fytyrë hartën duke e ofenduar atë, si dhe deklarata e dy presidentëve e nënshkruar më 16 shkurt.

Projektligjit, të cilin deputetët pritet ta shqyrtojnë të enjten, i është bashkëngjitur edhe një memorandum shpjegues.

Fillimisht i bëhet një përshkrim punës së Komisionit të kaluar, deri në arritjen e marrëveshjes me palën malazeze, sipas të cilës “shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi është në përputhshmëri të plotë me linjën kufitare sipas Kushtetutës së vitit 1974, me Planin e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës”.

Me këtë është hedhur poshtë edhe puna e komisionit të ri për demarkacion në krye me Shpejtim Bulliqin, që ishin mandatuar nga Haradinaj posa e mori mandatin e të parit të Qeverisë.

Kjo madje është në kundërshtim edhe me raportin e vlerësimit që ka bërë komisioni i Bulliqit për punën e komisionit të vjetër, e që si përfundim doli se Murat Meha e të tjerët kishin tejkaluar kompetencat e përcaktuara.

Anëtari i Komisionit Zejnullah Gruda, që është profesor i së drejtës ndërkombëtare, e ka quajtur mashtrim marrëveshjen e presidentëve, duke thënë se marrëveshja nuk mund të ratifikohet me kushte.