Arbëri

Avokati i Popullit: Driton Hajdari nuk duhet të mbahet në burg

Avokati i Popullit, në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae), i ka përcjellë Gjykatës Themelore në Prishtinë, mendimin juridik lidhur me trajtimin e personave të sëmurë rëndë, që janë të privuar nga liria.

Avokati i Popullit e ka trajtuar specifikisht rastin e Driton Hajdarit, në emër të të cilit, gruaja e tij ka parashtruar ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit.

“Sipas dokumenteve të pranuara nga ankuesja, si dhe nga vizita që përfaqësuesit e Avokatit të Popullit i kanë bërë pacientit, ashtu siç edhe nga informacioni i pranuar nga Departamenti i Shëndetësisë në Burgje (DSHB) i Ministrisë së Shëndetësisë, i dënuari në fjalë vuan nga një sëmundje e rëndë progresive, për çka pacienti ka qenë i shtrirë disa herë në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore”, thuhet në njoftimin e IAP, transmeton kp.

Bazuar në kushtet e Njësive Shëndetësore në Burgje, DSHB thekson se nuk kanë institucione për trajtim të personave me nevoja të veçanta; nuk kanë mundësi për trajtimin e personave me pamundësi kujdesi për vetveten dhe me përcjellës, por vetëm kujdes infermierie 24 orësh; nuk kanë neurolog për trajtim të vazhdueshëm sipas rekomandimeve të Klinikës së Neurologjisë dhe indikacioneve shëndetësore; nuk kanë në listën e tyre esenciale, barëra për trajtimin e një sëmundjeje të tillë të avancuar, e cila është specifike dhe e nivelit terciar, e për të cilën QKUK ka vështirësi për furnizim të tillë.

Në analizën ligjore që Avokati i Popullit bën në këtë Mendim Juridik trajton obligimet pozitive të shtetit që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e që i shërbejnë mbrojtjes së dinjitetit të njeriut, si të pacenueshëm dhe si bazë e të gjitha të drejtave, ashtu siç dhe funksionimit të shtetit ligjor.

Gjithashtu, Avokati i Popullit i referohet edhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe specifikon Nenin 3, në kuptimin e të cilit shteti duhet të sigurojë se personi i privuar nga liria mbahet në kushte të cilat janë në pajtueshmëri me respektin ndaj dinjitetit të tij njerëzor.

Kjo theksohet edhe në gjetjet e Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës, gjë që është në pajtueshmëri edhe me Rregullin 43 të Rregullave Evropiane të Burgjeve. Në këtë frymë theksohen edhe Rregullat Minimale Standarde të OKB-së për Trajtim të Burgosurve (Rregullat e Mandelës).

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen edhe në nenin 53 të Kushtetutës, i cili kërkon që të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, të interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Po ashtu, Avokati i Popullit rikujton nenin 5 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale ku përcaktohet shprehimisht se sanksionet penale ekzekutohen në mënyrën e cila siguron trajtimin human dhe respektimin e dinjitetit të secilit individ.

Së këndejmi, Avokati i Popullit në Mendimin Juridik drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë konkludon se vazhdimi i mbajtjes së të dënuarit në fjalë në kushtet e theksuara në raportin e DSHB, do të përbënte shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe akteve tjera ndërkombëtare të lartpërmendura.

Mendimi Juridik në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae) i është përcjellë autoritetit përgjegjës, bazuar në nenin 16, paragrafin 9, të Ligjit Nr. 05/L -019 për Avokatin e Popullit, sipas të cilit Avokati i Popullit mund të paraqitet në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae) në proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.