Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka takuar sot në Prishtinë zëvendëssekretaren e shtetit të Zvicrës, Krystyna Marty Lang, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Gjatë takimit me diplomaten e lartë zvicerane, në kuadër të konsultimeve politike mes dy vendeve, u diskutua bashkëpunimi dypalësh dhe për iniciativa të reja në intensifikim të këtij bashkëpunimi, transmeton Koha.net.
Pacolli ka falënderuar Zvicrën për mbështetjen.
“Ne e falënderojmë Zvicrën, në mënyrë të veçantë si vend që e ka mbështetur historikisht Kosovën. Ish-presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy Rey, ka bërë thirrje që herët, që Kosova të bëhet e pavarur dhe ajo e ka vendin në historinë moderne të Kosovës”, tha ai.
Pacolli e njohu bashkëbiseduesen dhe me zhvillimet e fundit në Kosovë në lidhje me Dhomat e Specializuara, Projektligjin për Demarkacionin, etj.
Diplomatja e lartë zvicerane, e shoqëruar nga Ambasadori i Konfederatës Helvetike në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, konfirmoi vullnetin e Zvicrës për të vijuar me ndihmën e fuqishme.
Duke folur për bisedimet me Serbinë, ajo nënvizoi se Zvicra kundërshton çdo ide shkëmbimi territoresh në Ballkan, qëndrim që u mbështet nga ministri Pacolli, i cili tha se “kjo ide do të sillte hapjen e kutisë së Pandorës në rajonin tonë”.
Në vijim të takimit, Pacolli kërkoi ndihmë për sjelljen e modelit zviceran të funksionimit të komunave të Kosovës.
-
21 shkurt 2018 18:05
-
Shpërndaje në: