Arbëri

Peizazhi natyror i Bunës vjet u vizitua nga 370 mijë turistë

Descriptive Text

Peizazhi i mbrojtur Ujorë-Tokësorë lumi Buna- Velipojë për vitin 2017 , ka qenë një qendër fitimprurëse për turizmin e natyrës dhe të vëzhgimit, ku ka pritur rreth 370 mijë turistë vendas e të huaj.

Kjo statistikë është raportuar për ATSH nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër, që mbulon këtë hapësirë natyrore.

Administrata e Parkut Kombëtar të Shkodrës, duke parë aktivitetin në rritje në fushën e turizmit të kësaj zone, ka rritur investimet për menaxhimin sa më të mirë të kësaj zone.

Janë ngritur qendra ku priten vizitorët e huaj dhe vendas, janë përgatitur udhërrëfyes dhe përkthyes të standardeve europiane si dhe janë shtuar guida e fletë-palosjet për vizitorët.

Fauna e zonës është ujore dhe gjallon në grykëderdhjen e Lumit Buna. Në disa disa tabela të ekspozuara në natyrë, prezantohet për vizitorët fauna ujore e zonës.

Velipoja dhe shtrirja e saj deri në grykëderdhjen e Bunës është një qendër turistike mjaft e këndshme, me peizazhe të larmishëm, ku ndërthuren deti, ranishtja, lumi, delta me ishuj, kodra, pylli, laguna, fusha, ligatinat ; vendi më i përshtatshëm për të vrojtuar zogjtë e Adriatikut Lindor në dunat e rërës dhe pellgjet e cekta të ujit , trevë me popullim të hershëm, tradita të pasura etno-folklorike, me fermerë dhe peshkatarë të zotë, mikpritës të njohur.

Zona turistike shtrihet në një sipërfaqe 300 ha me një ekosistem të shumëfishtë. Së fundmi, u prezantua dhe Projekti për “Mbrojtjen e Deltës së Lumit Buna” financuar nga Fondacioni MAVA me vlerë 2 milion euro, që e kthen lumin Buna në një destinacion të mirëfilltë turistik, pasi projekti do të mundësojë ngritjen e plazheve pranë brigjeve të lumit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në prani edhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, së fundmi, lancoi programin e rehabilitimit të shtratit të Bunës.

Përfshirja e këtij projekti afatgjatë në zonën e Bunës në Velipojë do të mbështesë më tej zbatimin e Planit të Menaxhimit të kësaj zone të mbrojtur.

“Në kuadër të bisedës që po vazhdojmë të bëjmë me qytetarët, bashkëqeverisja vazhdon të jetë për ne një pikë kulmore e programit tonë qeveritar. Programi jonë për të pasur një ofertë të përbashkët me vendet e rajonit, së bashku me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe vende të tjera, të bëjmë të mundur që këto zona t’i ofrojmë si destinacione turistike për turistët”, tha Klosi, në këtë takim, duke theksuar se në vitin 2018 do të dyfishohen vizitorët në këtë zonë.

Image

Qeveria shqiptare po vazhdon investimet jo vetëm për zhvillimin e politikave të turizmit por dhe përmirësimin e infrastrukturës në këto zona.

Këto projekte janë konceptuar në mënyrë integrale së bashku me projektin e liqenit, i cili po diskutohet me palën malazeze, i cili do të mbështetet dhe nga fondet e BE-së, për të krijuar mundësinë që kjo zonë të jetë më e zhvilluar dhe një destinacion për turistët shqiptar dhe të huaj.

Image