Arbëri

Sylejman Selimi nga burgu refuzon dekoratën e Thaçit

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi përmes një letre të shkruar me dorë, ka refuzuar dekoratën e ndarë nga presidenti Hashim Thaçi për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në letër, Sylejman Selimi ka theksuar se nuk mund ta pranojë një dekoratë të tillë si vlerësim për kontributin e tij në luftë “përderisa po mbahem padrejtësisht në burg”.

“Si mund te dekorohem për merita lufte kur unë po mbahem padrejtësisht ne burg gjoja për krime lufte? Prandaj dekorata e tillë për mua është e papranueshme, për aq sa unë mbahem dhe dënohem padrejtësisht. Unë refuzoj këtë dekorate duke mos pranuar kështu te jam i fyer nga hipokrizia!”, thuhet në letrën e Selimit, transmeton Kallxo.com.

Në të njëjtën letër, Selimi thotë se kjo nuk është dekorata e parë që ka marrë.

“Kam pas nderin te marr dekorata dhe mirënjohje nga personalitete te ndryshme vendore e ndërkombëtare, nga presidente te Kosovës, nga presidente te Shqipërisë, pastaj nga personalitete ndërkombëtare si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, nga admirale dhe gjenerale te NATO-s, nga shume komandante te KFOR-it, nga Kryeadministratori i Kosovës, nga Komandanti i Gardës i Shtetit te Ajovas – SHBA, nga ambasadori amerikan si dhe nga shume personalitete tjerë vendore e ndërkombëtare”, thuhet më tutje në letrën e Selimit.

Sipas tij sa herë që është dekoruar ose nderuar është ndier krenar për vlerësimin dhe kontributin në shërbim të popullit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar me Medaljen Presidenciale në 10 vjetorin e Pavarësisë mbi 200 personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare.

Image