Arbëri

Yagcilar: Kemi rehatuar zëvendësministrat, tani jemi stabilizuar

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar në “Express Intervistën” e KTV-së, ka thënë se zëvendësministrat e shumtë e qeverisë së Ramush Haradinajt, rehatuar nëpër ministri dhe tani është krijuar më shumë stabilitet.

Në këtë intervistë Yagcilar ka thënë se ka qenë sfidues numri i madh i zëvendësministrave dhe se për të është e rëndësishme që të ketë rezultate nga këta zyrtarë qeveritarë.

“Është gjithmonë sfidë, sidomos për Kosovën, dje e pardje e kemi shënuar dhjetëvjetorin e shtetit dhe brenda këtyre viteve ka pasur nevojë të ngrihet si shtet. Ka qenë sfiduese numri i madh i zëvendësministrave, të gjithë zëvendësministrat janë rehatuar. E kemi krijuar stabilitetin dhe për mua është e rëndësishme që të ketë rezultate nga zyrtarët, të jenë transparent dhe çdo institucion të ketë llogaridhënien”, ka thënë ministri Yagcilar.

I pyetur rreth politizimit të administratës publike në Kosovë, ministri ka thënë se ekziston tendenca që çdo qeveri të punësojë persona të besueshëm të tyre në administratë publike.

“Sa i përket politizimit, edhe Qeverinë edhe Kuvendin e përbëjnë partitë politike. Në këtë aspekt çdokund ekziston tentimi që të krijohet një administratë publike me personat që u besojnë”, ka thënë ministri Yagcilar.

“Janë bërë hapa për depolitizim, por në dhjetë vjetët e fundit, prapë nuk ka mjaftuar puna sa i përket depolitizomi. Me Sigmën do të fokusohemi për pranimin në shërbimin civil. Këto do të bëhen përmes shërbimeve elektronike, pastaj do të bëhen disa teste dhe më vonë do të bëhen trajnime”, ka shtuar ai kur është pyetur rreth punësimit të sekretarëve në ministrinë e Arsimit dhe atë të Tregtisë nga e njëjta parti.

“Ministria e administratës publike ka realizuar konkursin, ka realizuar komisionin për pozitat përkatëse, prej universitetit të jetë një zyrtar dhe një person që duhet të përfaqësojë organizatat joqeveritare. Pastaj të përzgjidhen tre kandidatë nga ministri dhe vendimi të shkojë në qeveri. Ministrat kanë bërë përzgjedhjet dhe janë realizuar të gjitha hapat me rregulloret e parapara”, ka sqaruar ai.

“Kandidati kërkohet që të plotësojë kushtet sa i përket përgatitjes profesionale. Nuk ekziston një dispozitë e veçantë. Këto janë procedura që janë zhvilluar me rregulloret. Në këtë rast, ministrat kanë bërë përzgjedhjen”, ka thënë veç të tjerash ministri i Administratës Publike.