Arbëri

Knaus: Deklarata e Ramës për një President kombëtar, blof ndaj BE-së

Njohja e Kosovës është karta e Serbisë për të hyrë në BE, ndërsa deklarata e kryeministrit të Shqipërisë për “një president unik të Kosovës dhe Shqipërisë në dhjet vjet” është një blof ndaj BE-së për t’i thënë se kanë në agjendë diçka me çka mund t’ua tërheqin vëmendjen nëse Brukseli i injoron.

Kështu ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbo-kroate Gerald Knaus, analist austriak, themelues dhe president i Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI /European Stability Initiative), transmeton Koha.net.

“Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë problem të besueshmërisë në të dyja anët, dhe nëse BE-ja mbetet e ndarë për sa i përket çështjes së pavarësisë e liderët kosovarë përqendrohen në tema të gabuara, atëherë e ardhmja e Kosovës për 10 vjet do të jetë e njëjtë sikurse sot, që do të ishte dëm për qytetarët dhe dështim i BE-së”, thotë Knaus, i cili më parë ka qenë i angazhuar në misionin e OKB-së në Kosovë.

Të hënën, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Shqipërinë kundër “ndërhyrjes” në vendet fqinje, pasi Rama ka thënë se vendi i tij dhe Kosova mund të kenë një ditë një president të vetëm si “simbol të unitetit kombëtar”.