Arbëri

Kërkesat e ndryshme të SBASHK-ut dhe të Këshillit të Prindërve hutojnë nxënësit

Derisa Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) u ka kërkuar prindërve që të martën të mos i lënë fëmijët të shkojnë në dy orët e para të mësimit për shkak se ka thirrur grevë dyorëshe, Këshilli i Prindërve u ka drejtuar thirrje prindërve që fëmijët t’i dërgojnë në shkollë në bazë të orarit të rregullt.

Kjo gjë i ka hutuar prindërit, të cilët thonë se nuk e dinë si të veprojnë derisa SBASHK-un e kanë kritikuar se po luan me fëmijët e tyre, shkruan sot Koha Ditore.

SBASHK-u ka paralajmëruar se të martën nuk do të mbahen dy orët e para në shkolla dhe se në universitetet publike, që janë pjesë e organizatës, do të ketë grevë nga ora 10:00 deri në orën 12:00.

Këtë veprim sindikata thotë ta ketë marrë për shkak të mosrealizimit të një marrëveshjeje që SBASHK-u e ka nënshkruar vitin e kaluar me koalicionin PDK-AAK-Nisma, që tashmë është në Qeveri.

Me kërkesë të sindikatës të mërkurën e kaluar është mbajtur grevë 1-orëshe në arsim. Sikurse javën e kaluar, sindikata edhe të hënën i ka porositur prindërit që të mos i lënë fëmijët të shkojnë në dy orët e para të mësimit pasi, sipas tyre, meqë është grevë fëmijët do të jenë më të sigurt nëse rrinë në shtëpi gjatë këtyre orëve. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)