Arbëri

Pacolli do që Kosova dhe Sulltanati i Omanit të vendosin marrëdhënie diplomatike

Descriptive Text

Kosova i është mirënjohëse Sulltanatit të Omanit për njohjen e Kosovës si shtet të Pavarur dhe Sovran, por në mënyrë që të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin në mes dy vendeve, Republika e Kosovës dhe Sulltanati i Omanit duhet të vendosin marrëdhënie diplomatike si hap i parë në këtë drejtim.

Kështu ka thënë numri një i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, gjatë një takimi që ka zhvilluar sot në Prishtinë me ambasadorin e Sulltanatit të Omanit, në Londër, Sheik Abdulaziz bin Abdullahbin Zahiri Al-Hinai, i cili ishte caktuar nga Qeveria e tij të marrë pjesë si mysafirë në shënimin e dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, njofton zyra për media e MPJ-së.

“I kërkova Ambasadorit të Sulltanatit të Omanit, që bashkëpunimi mes dy vendeve të arrijë një nivel më të lartë, duke filluar me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka thënë Ministri Pacolli, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Institucioneve të Kosovës që të rrisin bashkëpunimin ndër-shtetëror.

Nga ana e tij, ambasadori i Omanit Al Hinai, i përcolli ministrit Pacolli, urimet e Sulltanit të Omanit për dhjetëvjetorin e Pavarësisë dhe shprehu gatishmërinë për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike dhe ato qeveritare, përcjell njoftimi për media i zyrës së MPJ-së.