Arbëri

Vetëvendosje thotë se Apeli duhet të rregullojë padrejtësinë ndaj katër aktivistëve të saj

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të zbatojë pikat e rezolutës së miratuar nga Kuvendi, për katër aktivistët e dënuar të këtij subjekti, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, ku bëhet thirrje për hetim ndërkombëtar të rastit të tyre.

Deputetja Arbërie Nagavci, në një konferencë për media, ka thënë se seanca e 22 shkurtit në Gjykatë të Apelit, duhet të jetë rregullim i kësaj padrejtësie.

Ndërsa deputeti Liburn Aliu ka kërkuar largimin nga qeveria të ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe personave të tjerë përgjegjës, sipas tij, të përfshirë në këtë rast.

Katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë dënuar në total me 21 vjet burgim në shkallën e parë për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa të enjten pritet të mbahet seanca gjyqësore në Apel, ku do të shqyrtohen ankesat e mbrojtjes dhe Prokurorisë.