Arbëri

Mushkolaj: Për demarkacionin me Malin e Zi vendos Beogradi

Sipas opinonistit Imer Mushkolaj, Beogradi, do të vendosë për demarkacionin Kosovë – Mali i Zi. Ai në Express Intervistën ka thënë se mungesa e votave të koalicionit qeverisës e ka bërë faktor tejet të rëndësishëm Listën Serbe, pa votat e të cilës nuk do të mund të ratifikohet demarkacioni.

Mushkolaj thotë se Lista Serbe nuk do të votojë pro marrëveshjes, pa përfituar diçka për vete. Kështu ai e shpjegoi deklaratën e deputetit serb Igor Simiq që ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe është prioritet e jo demarkacioni me Malin e Zi.

“Për këtë çështje duhet të vendosë Beogradi. Për këtë jemi shprehur gjithmonë të shqetësuar. Tash është absurde dhe pamençuri të mendohet se Lista Serbe mund të votojë pa përfituar diçka”, ka thënë Mushkolaj.

Mushkolaj ka komentuar edhe deklaratën e Haradinajt që do të bisedojnë veç e veç me deputetët për këtë marrëveshje. Sipas tij, këto biseda do të mund të ndodhin me të dorëhequrit nga Vetëvendosje dhe dikush prej tyre mund të japë votën pro, por ka shtuar se koalicioni ka probleme edhe brenda, “pasi ka deputetë të PDK-së që kanë shprehur kundërshtime”.

Sipas Mushkolajt, marrëveshja e arritur mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi përmes së cilës lejohen përmirësime nëse gjenden gabime në pjesët e kontestuara, është vetëm shprehje e vullnetit të mirë dhe nuk është aneks-kontratë.

Mushkolaj ka thënë se nëse kalon versioni i qeverisë së shkuar, kryeministri Ramush Haradinaj duhet të japë përgjegjësi dhe të japë dorëheqje, sepse “ka premtuar që 8200 hektarët e humbur do të jenë pjesë e marrëveshjes”.

“Unë besoj se aspekti moral, edhe pse thuhet se në politikë s’ka moral, është përgjegjësi që duhet treguar përpos përgjegjësisë politike. Kjo sepse Haradinaj na ka premtuar se nuk do të kalojë ky version dhe tani po kalon pikërisht ai. Kush ka përgjegjësi nëse s’ka Haradinaj. Ka arsye të mjaftueshme për largim të qeverisë”, ka shtuar ai.