Haradinaj i thotë Johnsonit se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke

Haradinaj i thotë Johnsonit se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke

19 shkurt 2018 16:08

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se dialogu me Serbinë duhet të mbyllet me njohje reciproke. Sipas Haradinajt, Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti e shembull i fqinjësisë së mirë dhe e angazhuar në dialog me të gjitha vendet e rajonit.

Këto kryeministri kosovar ia tha në një takim zyrtar senatorit amerikan Ron Johnson.

Në takim, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiq dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, u bisedua për zhvillimet politike aktuale në vend, për mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në procesin e shtetndërtimit dhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të ligjit.

Johnson në vizitë zyrtare në Kosovë vjen pas takimeve me liderët serbë

Haradinaj theksoi nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Përkrahja e SHBA-së është shumë e rëndësishme për ne. Kosova dhe populli i saj do të jetë përherë falënderues për ndihmën që SHBA-së dhe populli amerikan kanë dhënë në të gjitha periudhat”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai tha se Kosova është e përkushtuar për rrugën e saj euroatlantike duke thelluar reformat e brendshme, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në forcimin e institucioneve demokratike.

Johnson, sipas njoftimit nga kryeministria, tha se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme në zhvillimin ekonomik, demokratik dhe të konsolidimit të shtetndërtimit të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme