Arbëri

Bierman: USAID-i do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim përfaqësuesin e lartë të zyrës së USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Brock Bierman, i shoqëruar nga ambasadori amerikan, Greg Delawie dhe shefi i USAID-it në Kosovë, James Hope.

“USAID në dy dekadat e fundit ka qenë gjithmonë pranë popullit të Kosovës. Fillimisht në rimëkëmbje, në procesin e ndërtimit të institucioneve dhe në procesin e shtetndërtmit”, ka thënë Presidenti, duke u shprehur mirënjohës për punën e madhe që USAID ka bërë në Kosovë në të gjitha fushat.

Thaçi, siç thuhet në njoftimin nga presidenca, tha se përkrahja e gjithanshme që USAID-i ka dhënë për Kosovën gjatë kësaj periudhe ka qenë tejet e rëndësishme për vendin, dhe perspektivën e qartë të shtetit tonë.

Në anën tjetër përfaqësuesi i lartë i Zyrës së USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Brock Bierman, ka siguruar presidentin Thaçi se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në të ardhmen në të gjitha fushat.

Në fund, presidenti Thaçi e falënderoi përfaqësuesin USAID-it, Bierman, për pjesëmarrjen në festimet e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.