Arbëri

Berisha: Transformimi i FSK-së në FAK nuk paraqet asnjë rrezik

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha ka deklaruar se procesi i transformimit të FSK-së në FAK, do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe në koordinim me partnerët strategjik.

Berisha i bëri këto komente pas takimit që pati me asistentin e sekretarit të mbrojtjes së SHBA-së, Robert S. Karem me bashkëpunëtorë.

Me këtë rast, Berisha falënderoi SHBA-në për ndihmën e gjithanshme për FSK-në si me angazhim të personelit po ashtu edhe për bashkëpunimin shumë intensiv dhe të gjithanshëm.

Sipas një komunikate të MSK-së, Berisha ka shtuar se ky bashkëpunim kulmon sidomos me bashkëpunimin që ka FSK me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Ai foli edhe për standardin e lartë që ka FSK, përgatitjen profesionale si dhe angazhimet e shumta për të kryer me përkushtim detyrat në bazë të misionit aktual.

“Pas 19 vjet çlirim dhe 10 viteve të shpalljes së pavarësisë, si dhe rekomandimeve të dala nga RSSSK, qytetarët dhe institucionet presin përfundimin e procesit të transformimit të FSK-së në FAK. Ky proces do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe në koordinim me partnerët strategjik, proces i cili do të jetë shumë transparent. FAK nuk paraqet rrezik për askënd sepse është forcë e gjithë qytetarëve dhe do të kontribuon në rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Ministri foli për objektivat e ardhshëm; për ngritjen e pjesëmarrjes së komuniteteve dhe rritjes së përfaqësimit gjinorë; strategjinë e integrimit të komuniteteve jo shumicë planin e integritet si ministri, shkallën e integritetit si dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama nga ana tij theksoi se FSK është forcë profesionale, me koncept perëndimor dhe e mbështetur në koncepte dhe doktrinën amerikane.

Ai theksoi përfaqësimin e mirë në përqindje të komuniteteve pakicë; kryerjen me sukses të detyrave që dalin nga misioni aktual. Ndërsa përgatitjet për transformim janë kryer në të gjitha drejtimet, janë bërë planifikimet e afatizuara dhe përgatitjet e duhura.