Arbëri

“Koha Ditore” refuzon dekoratën nga Thaçi

Sipas njoftimit të postuar në uebfaqen e Zyrës së presidentit të Kosovës, gazeta “Koha Ditore” është ndër mediumet e dekoruara nga z. Hashim Thaçi me “Medaljen e 10-vjetorit të Pavarësisë”.

Gazeta do që t’ia bëjë të ditur publikut se e refuzon këtë dekoratë.

Gazeta “Koha Ditore”, si medium i pavarur që prej themelimit, para gati 21 vjetësh, synim dhe standard profesional e ka pasur dhe e ka raportimin e së vërtetës për ngjarjet dhe zhvillimet në Kosovë dhe për të. E ka pasur dhe e ka edhe përpjekjen që kjo e vërtetë të shërbejë për ndërtimin e një shteti që do të jetë jo vetëm i lirë nga pushtuesi dhe represioni, por edhe një që është tërësisht demokratik, në të cilin sundon ligji, e ku institucionet janë në shërbim të qytetarit. Prandaj edhe nuk mund të pranojë dekoratën nga politikani, i cili më shumë se askush tjetër në skenën politike të vendit simbolizon të kundërtën e këtyre synimeve.

Në një vend, i cili rregullisht futet në kriza politike, të sigurisë apo ekonomike, falë lojërave të neveritshme të kastës politike të papërgjegjshme – siç ishte rasti së fundi me dramën e sajuar për rrëzimin e Gjykatës Speciale – gazeta nuk mund të pranojë dekoratë nga njeriu që është në krye të asaj kaste politike.

Në një vend ku qytetarët e rëndomtë vazhdojnë të vuajnë nga izolimi ndërkombëtar për faj të sistemit të korruptuar dhe manipulues politik, gazeta nuk mund të pranojë dekoratë nga politikani që qëndron në majë të atij sistemi të kalbur që ngufat vendin.

Dhe, sidomos, në një vend ku liria e shtypit është cenuar në vazhdimësi, si pas çlirimit më 1999 e edhe pas shpalljes së Pavarësisë, më 2008, gazeta nuk mund të pranojë dekoratë nga udhëheqësi i gjithëpushtetshëm, i cili vazhdimisht ka qenë në krye të klasës politike që ka ushtruar presionet dhe shantazhet ndaj fjalës së lirë.

Redaksia në çdo rast kundërshton që vlerësimi i punës dhe i meritave të gazetës të na bëhet nga një politikan. Nuk pranojmë që një gjë e tillë të na bëhet nga një politikan aktiv që mban pushtet dhe që, sipas qindra raportimeve tona të mbështetura me fakte e prova, e keqpërdor pushtetin në vazhdimësi.

Refuzimi që të marrim dekoratë nga një politikan i tillë është e vetmja mënyrë që ta mbrojmë kredibilitetin e raportimeve tona, të punës sonë dhe të emrit tonë.

Redaksia

“Koha Ditore”