Arbëri

Dhjetë vjetët e brishta të sigurisë

10 vjet të sigurisë. Kohavision sjell një përmbledhje të ngjarjeve kryesore që përcollën sektorët e sigurisë në dekadën e parë të Kosovës shtet.

Në vitin e parë ia tha lamtumirë TMK-së, erdhi FSK-ja që është gati të bëhet ushtri por që i mungon vetëm vendimi politik.

2009 - Lamtumirë TMK, FSK-ja forcë e re, joushtarake

Në orën e fundit të 20 janarit 2009, Trupat Mbrojtëse të Kosovës e shuan misionin nëntëvjeçar. Ato ia pasuan rrugën e tyre një Force të re, me mision përafërsisht të ngjashëm por me strukturë të avancuar, Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga 3 mijë anëtarë aktivë që kishte trupa, që ishin formuar pas çmilitarizimit të UÇK-së, vetëm 1400 arritën të inkuadroheshin brenda forcës së re të Kosovës.

Menjëherë pas kësaj filluan protestat nga ish-pjesëtarët e TMK-së, të cilët njëkohësisht ishin edhe veteranë të UÇK-së. Në këtë pikë, pati momente të përleshjeve mes tyre ...

2010 – ROSU në grevë, planifikonin bllokimin e shtetit

Në mbrëmjen e 2 shkurtit të 2010-ës, të gjitha Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, apo mbi 500 pjesëtarë të saj, u mbyllën në Qendrën e Trajnimeve në Kishnicë, në tentimin e tyre për të kërkuar rritje prej 100 për qind të pagave.

Një gabim, siç u pati cilësuar “teknik”, në sistemin e pagave të Policisë së Kosovës kishte rezultuar me një grevë disaditëshe të të gjitha njësive speciale të Kosovës.

Derisa grevistët ishin të vendosur në kërkesat e tyre, dhjetëra manovrime i bëri qeveria, duke dërguar çdo ditë zyrtarë për të negociuar me ta. Atëkohë, u zbulua se grevistët kishin planifikuar edhe marrjen nën kontroll të të gjitha institucioneve.

Ish-zëdhënësi i grevistëve, Arbëresh Dalipi, i cili menjëherë pas deklarimit qe suspenduar nga puna, pati thënë se “policia kishte pasur në plan që të bllokonte hyrje-daljet e institucioneve të shtetit, të Kuvendit dhe të Qeverisë”.

Kjo deklaratë bëri që Dalipi përfundimisht të largohet nga distinktivi policor, pasi u suspendua nga puna.

Po atë vit, zhvillime të mëdha pati në Policinë e Kosovës. Drejtori Sheremet Ahmeti u shkarkua nga pozita, me një vendim të kryeministrit Hashim Thaçi.

Shkarkimi erdhi pas grevës së policëve specialë dhe vjedhjes spektakolare të mbi 50 kilogramëve drogë, dëshmive sekrete, armë e gjësende të tjera më vlerë në dhomën e dëshmive në Prishtinë.

Edhe pse kanë kaluar 8 vjet nga ajo ngjarje, ende nuk dihet se kush ishin ata që arritën të hynin në dhomën e siguruar nga Policia dhe vodhën shumëçka e mes tjerash edhe prova të vrasjeve të pasluftës. Lënda e pazgjidhur tashmë është parashkruar.

2011- Tentimi i Hashim Thaçit për të marrë veriun, vrasja e policit Enver Zymberi

Tre vjet pasi Kosova ishte pavarësuar, Qeveria e Kosovës bëri përpjekjen e parë për të shtrirë autoritetin e saj në pjesën veriore të vendit. Natën e 25 korrikut të 2011-ës, forcat speciale ROSU zbarkuan në veri, me tentimin për të marrë nën kontroll pikat kufitare.

Policia e Kosovës u tha se atë ditë rimori nën kontroll pikën 31 dhe tentoi të marrë nën kontroll edhe pikën 1. Por njësitet Speciale të Policisë nuk e patën të lehtë tërheqjen nga veriu. Serbet ishin organizuar dhe kishin bllokuar të gjitha rrugët.

Pjesëtaret e forcave speciale derisa po ktheheshin në jug u përballën me të shtëna armësh, ku si pasoj polici Enver Zyberi, u goditë me plumb në fytyrë nga snajperi, ai nuk u mbijetoj plagëve dhe vdiq. Por pavarësisht kësaj, Kosova nuk arritu as sot nuk e ka.

Pos që Policia humbi një pjesëtar të saj, pasi u prit me automatikë gjatë rrugës për në Bërnjak e Jarinje, njësitet policore u kthyen mbrapa e nuk arritën kurrë në destinacion.

Drejtori i atëhershëm i Policisë, Reshat Maliqi, u shkarkua nga detyra edhe pse tha se për dërgimin në veri të forcave speciale që udhëhiqte vet, mori vesh nga mediat.

Ende ka paqartësi për urdhërdhënien e këtij aksioni dhe motivet në përgjithësi, i cili u kritikua fort nga ndërkombëtarët. Aksioni i veriut i solli Kosovës bllokim dhe barrikada në tërë atë pjesë të vendit.

2012 - Skandali i pasaportave

Në përpjekje të plotësimit të kushteve për liberalizim të vizave, Qeveria e Kosovës kishte vendosur të pajiste qytetarët e saj me pasaporta biometrike.

Në tenderin e hapur në shkurt të 2011-ës me vlerë prej 14 milionë e 127 mijë eurosh, fituese ishte kompania austriake OeSD.

Por që në vitin e parë, përfaqësuesit e ndërmarrjes austriake për prodhimin e pasaportave thanë se Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ua kishte borxh 1.4 milion euro, para të cilat Qeveria i kishte paguar në llogarinë e Natali Veliajt, firma e së cilës “Consulting EU sh.p” ishte përfaqësuese e OeSD-së në Kosovë.

Skandali plasi kur u mor vesh që Natali Veliaj nuk ishte fare e autorizuar për pagesa, por ishte kontraktuar vetëm për punë ndihmëse, si përkthime dhe transport lokal, derisa 1.4 milionët e shtetit shkuan në llogarinë e saj bankare.

Historia e këtij skandali u përmbyll me dënim nga Gjykata Themelore e Prishtinës të 7 personave, me afro 50 vjet burg. Për këtë, shtetasja gjermane Natali Veliaj po vuan 12 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë. Asaj i është konfiskuar edhe banesa.

Grupi i Natali Velijajt akuzohej për krim të organizuar, shpëlarje parash, mashtrim, shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim të besimit, të gjitha këto akuza të ndërlidhura me kontratën për prodhimin e pasaportave biometrike, të lidhur mes kompanisë austriake OeSD dhe MPB’së.

Skandali i pasaportave biometrike nuk përfundoi vetëm duke i dënuar 7 persona me afro 50 vite burgim. Në shkurt të vitit 2013, shtypshkronja Shtetërore e Austrisë kishte ngritur padi në Gjykatën e Odës Ndërkombëtare Ekonomike në Paris kundër Republikës së Kosovës Sipas vendimit të Arbitrazhit, shteti i Kosovës duhet t’i paguajë shtypshkronjës shtetërore austriake rreth 5 milionë euro. Para këto që parashihen te paguhen këtë vit.

Skandalet në sektorin e brendshëm të sigurisë nuk mbarojnë me kaq. Po atë vit, një tjetër vjedhje ndodhi në Policinë e Kosovës. Mbi 25 kilogramë ari, që ndodhej prej gati pesë vjetësh në dhomën e dëshmive në Stacionin Policor të Pejës, u zhdukën nga aty.

Skandal tjetër ishte ai i marsit të 2012-ës, kur Xhandarmëria e Serbisë arrestoi dy policë të Kosovës, në rajonin e Merdarës. Ata kishin hyrë gabimisht në zonën e Serbisë.

U liruan vetëm pas presionit ndërkombëtar.

2013 – Veriu i pasigurt, vritet doganieri lituanez, Audrius Senavicius

Dy ditë pas pavarësimit të Kosovës, qytetarët e veriut ua vunë flakën pikave kufitare 1 dhe 31 në Jarinjë dhe sytë e Kosovës u kthyen andej.

Të revoltuar me shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e saj nga shumë shtete, një grup protestuesish serbë dogjën vendkalimet në Jarinje të Leposaviqit dhe Banjë të Zubin-Potokut.

Pas këtij tensioni të krijuar për t’u dalë në ndihmë pjesëtarëve atëherë të Shërbimit Policor të Kosovës kishin ndërhyrë në veri forca të shumta të KFOR-it dhe policisë së UNMIK-ut.

Djegia kishte pasuar edhe 3 shpërthime të ndara në veri, ku përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për viktima në njerëz.

Strukturat paralele edhe më 2013 vazhduan ta mbanin të izoluar pjesën veriore të Kosovës dhe ta sfidonin sigurinë në çdo aspekt.

Pjesëtarët e MUP-it e ushtruan lirshëm aktivitetin e tyre.

Në mëngjesin e 19 shtatorit të 2013-ës, dy vetura të misionit evropian në Kosovë ranë në pritë në Zveçan, ku njëri nga doganierët mbeti i vdekur.

Audrius Shenavicius nga Lituania, doganier i EULEX-it, pas plagëve, vdiq në qendrën shëndetësore në veri të Mitrovicës.

Veturat ishin duke i bartur gjashtë pjesëtarë të EULEX-it për ndërrimin e tyre të zakonshëm në pikën kufitare në Jarinjë, masa këto të shtuara qëkur Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Por edhe pse kanë kaluar 5 vjet, vrasësit e doganierit lituanes ende nuk dihen. EULEX-i, me qëllim të zbardhjes e vrasjes së doganierit të vet, vazhdon ta ketë në fuqi shpërblimin prej 30 mijë eurosh për këdo që do të ofronte informacionpër autoret e vrasjes.

Në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, doganierët e saj vazhdojnë që udhëtimin për në vendin e tyre të punës, pikat doganore në Jarinjë e Bërnjak, ta bëjnë me automjet të blinduara.

2014 – Dështimi për Ushtrinë

Me 21 janar të 2014, Forca e Sigurisë së Kosovës kishte mbushur 5 vjet dhe respektivisht atë ditë përfunduan kufizimet e pakos së Ahtisarit, i cili kishte ngrirë statusin e saj në atë civili, duke thënë se vetëm pas ditëlindjes së saj të 5 ajo mund të evulonte në ushtri. Por disa herë Kosova dështoj ti jap FSK-së, mandat ushtarak.

Më 17 shkurt 2014, atëkohë kryeministër, Hashim Thaçi do të bënte zotimin e parë për ndryshimin e mandatit të Forcës.

Më 31 mars 2015, në agjendën legjislative të Kuvendit ishte paraparë që të hynte në rendin e ditës projektligji për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.

39 ligje do të ndryshoheshin që forcës t’i jepej mandati që të ruajë integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit dhe numri i pjesëtarëve të saj të rritej në 5 mijë.

Por, koalicioni LDK-PDK, pavarësisht përkrahjes së rrallë nga opozita, nuk e hodhi në votim, sepse i mungonin 4 votat nga Lista Serbe. Përpjekja e parë e këtij koalicioni dështoi.

Në gushtin e 2015-ës, atëkohë kryeministër, Isa Mustafa thuajse u dorëzua para idesë për ta bërë FSK-në me ndryshime kushtetuese. Ai hodhi idenë qe ajo të bëhej me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për FSK-në, me të cilin FSK-ja do t’i merrte të gjitha përgjegjësitë që ishin të parapara për FAK-un.

Por pak ditë më vonë, ai do të udhëtonte për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku më pas do të ndryshonte edhe qëndrimin për këtë proces

Përpjekje të tilla u panë edhe në vitin 2016, por me intensitet më të dobët.

U tentua edhe më 2017, në një seancë të thirrur nga opozita, nëpërmjet një rezolute të hartuar nga AAK-ja, ku deputetët u munduan që Kosovën ta bënin me ushtri nëpërmjet ligjit, por që vetë kryeministri Mustafa tha se një ide e tillë nuk mund të jetësohet, pasi nuk e kanë përkrahjen e ndërkombëtarëve.

Tentimi i fundit ishte më 7 mars, kur presidenti Hashim Thaçi thotë se, si komandant suprem, ka vendosur ta bëjë FSK-në ushtri. Por pavarësisht këtij propozimi, që misioni i forcës të ndryshohej përmes ligjit, kjo iniciativë dështoi, pasi vetë presidenti u tërhoq pas presioneve të ndërkombëtarëve, të cilët kërkonin mbështetjen e minoritetit serb.

2015 - Me eksploziv, Gavriq ia mësyu Prishtinës

Në ditën e Kërshëndellave të vitit 2014, me mbi 12 kilogramë eksploziv të tipit C4 me bazë RDX, shpejtësia e shpërthimit 9800 metër për sekondë, shtetasi serb Sllobodan Gavriq ia mësyri Kosovës. Ai kishte për qëllim shkatërrimin dhe vrasjen e shumë njerëzve në kryeqytetin e Kosovës.

Por tentimi i tij i shkoi huq, pasi u kap nga Policia e Kosovës në afërsi të Ambasadës Amerikane.

Policia atëkohë tha se indikacionet e para tregojnë se shpërthimi ka qenë i planifikuar për festat e fundvitit dhe se po të kryhej ky akt, pasojat do të ishin të mëdha madje edhe në njerëz. Vetura, në të cilën është gjetur eksplozivi, ka hyrë në Kosovë nëpër vendkalimet zyrtare kufitare Kosovë-Serbi.

Prokuroria Speciale, me datën 10 korrik 2015, e akuzoi Gavriqin për veprën penale të përgatitjes së veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Gavriq insistoi se ai ishte tregtar që merrej me shitblerjen e eksplozivit.

Gjykimi për të zgjati rreth një vit dhe më 29 qershor të 2016-ës, Gjykata e dënoi me 13 vjet burgim.

2016 - Ryshfet në polici, 56 policë në pranga

59 pjesëtarë të Policisë së Kosovës në 2016-ën u arrestuan nën dyshimet për përfshirje në veprat penale, marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në mesin e këtyre zyrtarëve policorë ishin 35 shqiptarë, 23 serbë dhe një nga komuniteti boshnjak.

Ata ishin hetuar për 4 muaj rresht për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Aksioni i Inspektoratit Policor të Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, u realizua pas grumbullimit të një sërë informatash të qytetarëve, të cilët po raportonin për keqpërdorimet e policëve.

Të akuzuarit, gjatë muajit dhjetor 2016, gjatë patrullimit në Autostradën “Ibrahim Rugova”, si bashkëkryerës duke vepruar në kuadër të autorizimeve zyrtare, kanë kërkuar dhe pranuar dhurata nga shkelësit e rregullave të trafikut në mënyrë që të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare, duke mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

59 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kryesisht të njësisë së trafikut dhe kontrollit të autostradës, rezultoi se kishin marrë ryshfet nga qytetarët gjatë kryerjes së detyrës.

Pas hetimeve, 21 prej tyre u liruan.

Gjykimi ishte i ndarë për dy grupe, ndërsa janë dënuar 20 policë me gjithsej 20 vjet burgim.

Më 29 shtator të 2016 në vendkalimin kufitar në Konçul, policia e Serbisë ia vuri prangat Komandantit te Stacionit Policore te Kosovës ne Mitrovicë, Nehat Thacit, mbi bazën e një fletëarresti të Gjykatës së Lartë në Nish, nën dyshime për veprën penale “të terrorizmit”.

Atij, autoritetet e drejtësisë në Serbi, i patën caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, deri sa arrit të lirohet vetëm pasi përfundoj paraburgimin dhe me 1 nëntor u kthye ne Kosovë.

Pas arrestimit të Thaçit, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë, me të cilën kërkohej lirimi i menjëhershëm, dhe i kërkohej “Bashkimit Evropian që përmes mekanizmave të tij detyrues të ndërhyjë tek Qeveria e Serbisë që të lirohet Thaçi”.

2017 – Emin Beqiri i krimeve ekonomike, sekseri i policisë

2017-ta nisi me skandalin më të madh në Policinë e Kosovës. Koha Ditore kishte siguruar prova që inkriminonin njërin nga njerëzit më të fuqishëm në këtë institucion, shefin e krimeve ekonomike, Emin Beqiri, i cili kishte shërbyer si sekser i Policisë së Kosovës për mbylljen e hetimeve me ryshfet.

Gazeta solli dëshmi për inkriminimin e Beqirit në një rast ku sekseri tashmë i arrestuar, Rrahim Hashimi, kërkonte para për mbylljen e një hetimi.

Beqiri takohej shpesh për këtë rast me sekserin. Kjo dëshmohet në incizimet

Në një telefon të tipit “Iphone 6” gjendeshin provat se si një sekser në koordinim me Policinë e Kosovës po kërkonte 100 mijë euro për mbylljen e një rasti hetimor për Qendrën për Avokim dhe Diplomaci. Prova këto që inkriminonin shefin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, si dhe sekserin e Policisë, Rrahim Hashimi.

Pasi paratë nuk ishin paguar, zyrtarët e Qendrës për Avokim dhe Diplomaci ishin arrestuar, ndërsa ishin konfiskuar edhe disa gjëra, në mesin e tyre edhe ky telefon. Konfiskimi i telefonit kishte ndodhur më 2 dhjetor.

Në këtë telefon ata kishin të incizuara video dhe audio të sekserit të Policisë, Rrahim Hashimi, i cili po u kërkonte para dhe prova për përfshirjen e Emin Beqirit. Në mesin e tyre edhe një takim me drejtorin Beqiri. …

Por, pas konfiskimit nga Policia e Kosovës, nga ky telefon janë fshirë të gjitha dëshmitë në lidhje me bisedat për pagesën e ryshfetit për mbylljen e një rasti të hetimit.

Derisa ekzistojnë dëshmi se incizimet përveçse janë fshirë nga telefoni, ato i janë dorëzuar edhe në kopje fizike, e cila po ashtu nuk ekziston, nuk janë dorëzuar kurrë në Prokurorinë Speciale, e cila kishte nisur hetimet vetëm pas publikimit të hulumtimit në gazetën “Koha Ditore”.

Megjithatë, Prokuroria e Shtetit ende nuk ka një aktakuzë për rastin.

Ndërkaq, Beqiri është zhvendosur nga pozita e Drejtorit të Krimeve Ekonomike në departamentin për dhunë familjare.

2018 - E vrasin Oliverin, drejtori i IPK-së suspendohet, ushtroi ndikim te vartësit

Veriu i Kosovës është pika më e ndjeshme edhe në dhjetëvjetorin e shtetësisë së Kosovës. Më 17 janar vendi do të tronditej, kur nga një veturë në lëvizje do të qëllohej lideri i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviq.

Ish-deputeti i Kosovës nuk kishte arritur t’u mbijetonte tre plumbave, që u shkrepën mbi të, nga vetura e cila do të digjej pak minuta më vonë në lagjen e Boshnjakëve ne Mitrovicën e Veri

Policia e Kosovë thotë se është në rrugë të mbarë për të zbuluar rastin. Derisa shteti i Serbisë ka kërkuar përfshirjen e tij në hetime për vrasjen e liderit të serbëve të veriut.

Por, një tjetër skandal do të vërë në pikëpyetje kredibilitetin e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Përgjime të bëra nga vartësi i kryeshefit të IPK-së, Hilmi Mehmeti, shpërfaqnin atë teksa ushtronte presion për punësime të një familjari të tij në IPK.

Përgjimet zbardhen edhe me faktin se rasti po hetohej nga prokurori Ibrahim Berisha, i cili në fakt po në atë konkurs që po hetonte i ishte punësuar i biri si Inspektor Policor.

Mehmeti tha se rasti iu montua, por suspendimi i tij erdhe 2 ditë më vonë nga ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj, i cili as sot e kësaj dite nuk ka folur për rastin, as për media, e as nuk i është përgjigjur Kuvendit, të cilët e kishin thirrur për të raportuar.

Sidoqoftë, IPK-ja tash do të menaxhohet nga Miradie Kelmendi, e cila po ashtu kishte ushtruar presion e ndikim për punësime në këtë institucion dhe ka refuzuar të zbatojë vendimin e Policisë Hetuese, për suspendimin e drejtorit të Krimeve Ekonomike Nazim Sahiti, i cili ishte përfshirë në rrahjen brutale të drejtorit të Telekomit, Agron Mustafa, në qendër të Prishtinës në fundvitin e kaluar.