Arbëri

Haradinaj uron BE-në e NATO-n për anëtarin më të ri që po iu troket në derë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë shtetërore për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të organizuar nën patronatin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në këtë ceremoni, ku të pranishëm ishin përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore të Kosovës, ministra, deputetë, përfaqësues të jetës kulturore e akademike, mysafirë të shumtë nga e mbarë bota, ambasadorët e akredituar në Kosovë, Haradinaj tha se është nder për të që t’i drejtohet të gjithë të pranishmëve, veçanërisht të shpreh respektin dhe falënderimin e tij për brezat që u flijuan për të drejtën tonë për të qenë të lirë dhe për të jetuar në shtetin tonë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“I takojmë familjes së shteteve demokratike, diçka që çdo herë dhe çdo njëri nga ne e ndjejmë, e bartim me vete dhe e respektojmë thellë”, tha Haradinaj, dhe shtoi se, “shqiptarët i ndjejnë dhe i kuptojnë të gjithë ata që bashkëjetojnë me ne në Kosovë, komunitetet etnike, duke punuar intensivisht në thellimin e kohezionit të brendshëm”.

Haradinaj vlerësoi se qeveria e vendit e ka parasysh dhe nuk harron t’i kujtojë çdo herë vendimet e mëdha që kërkojnë implementim, transmeton Koha.net.

“Implementimi është suksesi i të gjithë neve dhe do të jemi të kujdesshëm e të vendosur që të implementojmë të arriturat tona, vendimet e marrura dhe njëkohësisht të dimë të gjejmë zgjidhje për të gjitha temat që na presin”, tha ai.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Haradinaj uroi 10 vjetorin e pavarësisë qytetarët e Kosovës, shqiptarëve kudo që janë.

“Uroj Bashkimin Evropian për anëtarin më të ri që po i troket në derë, uroj NATO-n për anëtarin më të ri që po bëhet gati dhe njëkohësisht të gjitha kombet e lira të botës për anëtarin më të ri që po u vjen”, tha Haradinaj.