Arbëri

Sejdiu: Deklaratën e Pavarësisë është dashur ta lexojë Jakup Krasniqi

Descriptive Text

17 shkurtin e vitit 2008 e kujton me shumë emocione, ndonëse për presidentin e atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu ende nuk është arritur krejt ajo çka është menduar 10 vjet më parë.

Përgjatë këtyre dhjetë viteve sipas Sejdiut, Kosova ka kaluar nëpër faza sfiduese, por megjithatë e ka dëshmuar qëndrueshmërinë e saj si shtet.

“Kosova ka kapërcyer vërtet faza shumë të rënda, tepër sfiduese dhe ka arritur që të ketë edhe rrjedhime apo zhvillime shumë pozitive, kjo bënë që me të parën Kosova sidomos në vitet e zhvillimit por flas edhe më vonë se ka arsyetuar qëndrueshmërinë e vetë si shtet sepse që në kohën e shpalljes së pavarësisë por edhe përpara, posaçërisht në kohën e procesit të bisedimeve ka pas ta quajmë një ngarkesë të madhe nga të tjerët kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës me akuza të shumta se Kosova nuk do të mund të qëndro si shtet, se Kosova do të jetë qendër destabilizuese dhe gjenerator i krizave se në Kosovë do të ndodhin tragjedi të shumta sidomos për komunitetin serb se Kosova nuk mund që qëndroi dhe nuk ka logjik shtet formuese, por kjo që ndodhi pas ngjarjes së madhe të 17 shkurtit e dëshmoi të kundërtën ani pse mund të themi se në këtë dhjetë vjetor ka edhe shumë çështje që sot i  ; shohim kanë mundur të zhvillohen ndryshe, të zhvillohen më pozitivisht dhe si të tilla të dëshmojmë jo vetëm aftësinë shtet formuese por edhe shumë aspekte të tjera të cilat duhet t’i ketë një shtet”, tha Sejdiu në një intervistë për Kosovapress.

Ish-presidentit Sejdiu 17 Shkurti i sjell gjithmonë emocione pasi që të gjitha momentet kyçe deri tek kjo datë kanë dizajnuar gëzimin e popullit të Kosovës.

“Janë emocione që gjithmonë më vijnë në këtë ditë apo në këtë vigjilje të kremtes së pavarësisë natyrisht jo në pjesën e shkallës së adrenalinës sikurse që ishin në 17 shkurtin, por them se është një moment që për një popull përjetohet njëherë, ne edhe gjeneratat e reja që janë edhe gjeneratat më të vjetra e kanë pasur fatin që të jenë dëshmitar të këtij procesi sepse shumë e shumë breza kanë shkuar dhe nuk kanë arritur që ta shohin Kosovën e pavarur dhe se sakrifica e tyre ka qenë drejtpërdrejtë e bërë për një Kosovë të tillë dhe unë them se me vetë momentet kyçe që i kemi pasur për të arritur në datën e 17 shkurtit në një farë mënyrë kemi dizajnuar do të thoja edhe ecjen tonë, lëvizjet tona, gëzimin tonë, që ka qenë thjeshtë një gëzim burimor i secilit njeri, flas edhe i neve që kemi qenë në proces unë kam qenë president i vendit në atë kohë, kam udhëhequr bisedimet kam ditur çdo detaj në fakt edhe i kemi ndërtuar detajet se si do të shkoj kjo ditë dhe paralelisht me këtë kemi arritur që të krijojmë një momentum i cili ka qenë momentum edhe i gëzimit edhe i seriozitetit”, u shpreh Sejdiu.

Duke e konsideruar si moment kulmor ditën e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, Sejdiu thotë se tani është koha që individët pavarësisht subjektit politik që i takojnë të punojnë në të mirë të vendit.

E për ish presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu para vetes, shteti i Kosovës ka detyra të shumta që mund t’i përmbush vetëm me punë, qasje konstruktive dhe miqësi të mirë me të gjithë aleatët ndërkombëtar.

Ndërkaq, jo të rastësishme e quan edhe përzgjedhjen e datës 17 shkurt 2008 dhe ditën e diel për të shpallur pavarësinë e Kosovës.

“Kemi pasur një takim ta quajmë pragmatik në hapa edhe në Këshillin e Sigurisë Nacionale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aty kemi biseduar për shumë probleme dhe nuk janë rastësishme e diela që është zgjedhur, nuk është e rastësishme 17 shkurti që është zgjedhur si datë e tillë dhe nuk janë të rastësishme veprimet e menjëhershme që kanë ndodhur paralele me njohjen e Republikës së Kosovës menjëherë ditën e nesërme, për ne kemi caktuar mund të them dy tre javët e fundit që jemi marr vesh definitivisht që do të jetë kjo datë, gazetarët në një far mënyre e kanë qëlluar ,por ne nuk kemi thënë nga goja jonë se është kjo datë për arsye se gazetarët do të jetë prognozë, çështja e një zyrtari të lartë të shtetit që ta thotë do të ishte në një far mënyre përgjegjësi ”, tha ai.

Duke i përshkuar si ditë të sikletshme ditët para shpalljes së pavarësisë, Sejdiu ka thënë se gjatë asaj periudhe janë bërë përgatitjet për njohjen e Kosovës, ku me momentin e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe demokratik kërkesat për njohje u janë nisur shteteve anëtare të OKB-së.

Për leximin e Deklaratës së Pavarësisë, të cilën e lexoi kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, Sejdiu thotë se leximi i atij dokumenti i ka takuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pasi që ai dokument ishte votuar nga deputetët.

“Deklarata e Pavarësisë është një dokument i Kuvendit të Kosovës dhe duhet të jetë e qartë kjo, realisht në kuptimin funksional mbi këtë natyrë do t’i binte kryetarit të Kuvendit ata janë marrë vesh meqë kanë qenë të një subjekti politik dhe e ka lexuar kryeministri Thaçi po është një dokument që është dokument i Kuvendit, Kuvendi e ka miratuar as unë as kryeministri Thaçi nuk kemi pasur të drejtë të votojmë asnjëri as tjetri sepse që të dy nuk kemi qenë deputet në Kuvendin e asaj kohe. Ajo që dihet është se ky dokument është dokument i përbashkët i disa vetave që kemi punuar në të dhe i faktorit ndërkombëtar posaçërisht i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kemi pasur konsulta të shumta”, tha ai.

Duke e kujtuar periudhën deri tek ardhja e momentit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Fatmir Sejdiu thotë se gjithçka ka qenë e harmonizuar edhe në aspektin e sigurisë fal planeve operative të ndërmarra nga Policia dhe KFOR-i.

Mirëpo, tani pas 10 viteve ai thotë se e ka ditur që nuk do të rrjedh gjithçka shpejt qoftë për njohjet e Kosovës si shtet, qoftë për ringjalljes e ekonomisë së vendit.

“Nuk kam pasur iluzion se do të shkoj shpejt gjithçka as për çështjet e njohjes as për çështje e regjenerimit në ekonomi, natyrisht se kam pasur vullnetin dhe e kam edhe sot që të shpejtohen hapat, prandaj sigurisht mund të thuhet se nuk është arritur krejt ajo çka është menduar ajo pjesë e idilës por në vendet e tjera pjesën e praktikës së tyre kanë ndodhur një diçka e ngjashme, nuk është e thënë që tash Kosova në një farë mënyre ta arsyetoj vetveten, por është me rëndësi që potenciale që ka resurset që ka t’i shfrytëzoj në mënyrën maksimale”, tha Sejdiu.

Ish-presidenti ka komentuar edhe për simbolet shtetërore dhe kombëtare, duke kërkuar që të dallohen ndjenja për flamurin kombëtar dhe atë shtetëror.

“Këto janë dy çështje që duhet pasur në konsideratë dhe duhet dalluar çështja e flamurit nacional është çështje e pa zëvendësueshme në kuptimin e ndjenjës për të, të respektit për të, të mënyrës së përdorimit të tij dhe të kërkujt nuk i ndalohet, çështja e prezantimit të Kosovës si Kosovë dhe si institucion si shtet është ky flamur që ne kemi zgjedhur apo që ka miratuar parlamenti i Kosovës, pa dy vende me një flamur të njëjtë nuk mund të jenë anëtare të Kombeve të Bashkuara apo të mekanizma tjerë ndërkombëtar, prandaj duhet me pas kujdes jashtëzakonisht shumë në këto që nganjëherë që janë edhe tema të ndjeshme absolutisht në pjesën e emocioneve mbesim në emocione por emocionet duhet të kenë po ashtu edhe zërin e ndjenjës shtet formuese paralele”, ka thënë ai.