Arbëri

Haradinaj: Ende nuk janë mbushur pritjet e qytetarëve për një shtet modern

Qeveria e Kosovës për nder të dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka mbajtur mbledhje solemne, në të cilën kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se po ndërtojnë një shtet model ku secili qytetar, grup etnik, fetar, gra, burra, e projektojnë vullnetin e tyre për të jetuar së bashku në një shtet.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit shtoi se ende nuk janë mbushur pritjet e qytetarëve për një shtet modern, por janë në rrugë të drejt për të përmbushur këtë.

Sipas tij, Kosova, në prag të shënimit të dekadës së parë të pavarësisë, është sot një shtet, është shtëpi për qytetarët e saj e ngritur me flijimin e shumë brezave, që ndërton paqe në një shoqëri të të gjithëve dhe që ec në liri me miqtë e vet të shtrenjtë, si SHBA-në dhe e rreshtuar me Perëndimin, por e hapur për të gjithë ato kombe që e njohin dhe e respektojnë.

“Ne po ndërtojmë një shtet model, ku secili qytetar, grup etnik ose fetar, gra dhe burra, me diversitet etnik, kulturor e gjuhësor si dhe në pluralizëm politik dhe ideor, e projektojnë vullnetin e tyre për të jetuar së bashku në një shtet, pra me unitet shtetëror dhe kohezion shoqëror, duke krijuar vepra të mëdha që na mbajnë bashkë në shtet. Dhjetë vjet Pavarësi të Kosovës dhe 19 vjet liri, do të thotë mbyllje e konfliktit të tmerrshëm që rrënoi shumë jetë njerëzish dhe nisje e një jete të re”, tha Haradinaj.

Haradinaj shtoi se Kosova e pavarur do të thotë një shtet më shumë në hartën gjeopolitike të Globit, që pretendon anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE si dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare që i shërbejnë paqes dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve e kombeve.

Megjithatë, kryeministri Haradinaj tha se edhe pse u përmbush kërkesa e qytetarëve për liri, ende nuk janë përmbushur pritjet e tyre për një shtet modern, përcjell ksp.

“Shteti i Kosovës e ka përmbushur kërkesën e njerëzve të vet për liri dhe po e përmbush përcaktimin për një jetë të përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim të të gjithë atyre që Kosovën e shohin si shtëpi të tyre! Jemi të vetëdijshëm se ende nuk janë përmbushur në tërësi pritjet e qytetarëve për një shtet modern, por jemi në një rrugë të pakthyeshme, që bashkërisht me partnerët tanë, të mbërrijmë aty! Të ndjekim të drejtën për lumturi! Kosova e këtyre idealeve do të bëhet, sepse atdhedashuria dhe besnikëria e qytetarëve tanë për shtetin është e lartë”, theksoi ai.

Sipas kryeministrit Haradinaj, Kosova sot po promovon vlerat demokratike, të një shteti të barabartë për të gjithë, ku liritë dhe të drejtat e njeriut si dhe barazia përpara ligjit janë themelet e palëkundura të tij.

Derisa, në dekadën e dytë të jetës së saj, Haradinaj tha se Kosova do ta arrijë stadin zhvillimor, që do thotë një vend pune për secilin që dëshiron një punë dhe një perspektivë e dinjitet për secilin.

Ai ka ftuar të gjithë që t’ia besojnë lirinë ligjit dhe t’i japin dashuri e besnikëri Republikës së Kosovës.