Arbëri

Komunitetet ëndërrojnë për jetesë më të mirë

Prania e yjeve në flamurin e Kosovës, të cilët nënkuptojnë gjashtë grupimet kryesore etnike në vend, ka bërë që ky simbol të pranohet mirë nga komunitetet joshumicë që jetojnë në Prizren, shkruan sot Koha Ditore.

Në këtë mënyrë ata po e ndjejnë veten si njëri prej anëtarëve të familjes në shtëpinë e quajtur Kosovë. Por ëndërrojnë që kjo shtëpi të jetë e zhvilluar ashtu që të gjithë anëtarët ta gjejnë të ardhmen aty, dhe të mos kërkojnë perspektivën diku tjetër.

Së paku kjo është përshtypja e regjisorit turk nga ky qytet, Barış Karamuço, i cili gjashtë vjet më parë kishte realizuar dokumentarin “I Kujt është Flamuri?”, në të cilin krijim shqyrtohet ky simbol i shtetit, që të shtunën kremton 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Ndërkohë përfaqësues nga politika, mediat e shoqëria civile të komuniteteve joshumicë kanë pohuar se boshnjakët, turqit dhe romët që jetojnë në Prizren e ndjejnë shtetin e Kosovës si “shtëpinë e tyre” dhe se të mirat dhe të këqijat i ndajnë me vëllezërit e tyre nga komunitetet e tjera. Por theksojnë se brenda kësaj “shtëpie” ende ka shumë sfida që duhet të adresohen, si: sundimi i ligjit, përmirësimi i ekonomisë, punësimi e mirëqenia, decentralizimi dhe rritja e nivelit të tolerancës. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).