Arbëri

Edhe Jakup Krasniqi refuzon dekoratën nga Thaçi, jep katër arsye

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi ka refuzuar dekoratën nga presidenti Hashim Thaçi, i cili ka bërë një listë të gjatë me personalitete që do t’u jepet dekorata për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Krasniqi në këtë listë përmendet edhe si pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si pjesë e Konferencës Paqësore në Ramboilletit dhe Parisit dhe si kryekuvendar i Kosovës.

Të premten dekoratën e Thaçit e ka refuzuar edhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ndërsa këto janë katër arsyet e refuzimit të dekoratës së Krasniqit:

1. Veprimtarinë time politike nuk e kam nisur as për pozita, as për pasuri dhe as për dekorime. Kam filluar të merrem me politikë para 45 viteve, thjesht pse e kam dashur lirinë e kombit tim dhe pse Atdheut tim ia kam pasur borxh që t’ia bëj shërbimin pa hile. Kudo ku e kam përfaqësuar vendin dhe kombin tim e kam përfaqësuar pa hile dhe meritueshëm, andaj refuzoj te dekorohem nga Hashimi

2. Hashimi nuk e ka asnjë kriter të vetëm në dhënien e Mirënjohjeve dhe të Dekoratave. Thjesht, ai po bënë pazare politike me mirënjohje e dekorata.

3. Të gjitha vendimet dhe veprimet e politike të Thaçi, që nga viti 2010 e këndej, kanë qenë rrënuese për shtetin e kombin. Marrëveshjet e tij me Serbinë nga ajo e 13 prillit 2013 e këndej kanë qenë e janë antishtetërore dhe antikushtetuese. Ai këtë politikë e vazhdon edhe sot. Prandaj e refuzoj dekoratën e tij. dhe

4. Refuzoj te dekorohem nga Hashimi, i cili personalisht me ka fyer, dhe jo vetëm në aferën “Pronto”. Fyerjet dhe shpifjet i ka filluar qe nga Konferenca e Rambujesë duke ju thënë anëtarëve tjerë të SHP të UCK-së se gjoja unë e ndonjë tjetër në atë Konferencë jemi bërë me “armiqtë e tij politikë”- LDK-në. Natyrisht, unë asnjëherë të vetme, kur ka qenë puna mes interesit partiak e atij kombëtar, kurrë nuk kam hezituar ta zgjedh ketë te dytin. Ky ishte edukimi im, familjar e kombëtar, andaj Refuzoj te dekorohem nga ky njeri dhe ndihem i fyer te dekorohem nga Hashimi!

Me vije keq që ketë duhet ta bej në Ditën e Pavarësisë dhe nga institucioni përfaqësues i shtetit - Presidenti!