Flamuri i Kosovës që ishte planifikuar të vendosej te “Rrethi i Flamurit”, tashmë është vendosur te një tjetër rreth në hyrje të kryeqytetit.
Një grup i qytetarësh që e quajnë veten, “qytetarët e mllefosur” kanë pranuar se flamurin ua kishin vjedhur të martën zyrtarëve të Ministrisë së Administratës Publike.
Në kohën kur Kosova po kremton 10-vjetorin e Pavarësisë, një grup qytetarësh kanë vendosur flamurin e Republikës së Kosovës te rrethi në hyrje të Prishtinës. Ky flamur mban mbishkrimin “Republika Pronto” dhe është i vendosur mbrapsht.
Përmes një komunikate, theksojnë se me këtë aksion po protestojnë kundër krerëve të shtetit.
Ky grup që ka dashur të jetë anonim, kanë thënë se i respektojnë simbolet e Kosovës, por nuk pajtohen me udhëheqësit e shtetit, të cilët sipas tyre, shpikën pa asnjë nevojë temën e flamurit.
“Pasi që ju që po e shkatërroni vendin tonë e po fshiheni pas flamurit të Kosovës, ne, në mënyrë simbolike po ju zbulojmë pikërisht aty ku ju po fshiheni”, thuhet në këtë komunikatë.
Ky flamur i Kosovës është vendosur rreth orës 22:00.
-
17 shkurt 2018 00:31
-
Shpërndaje në: