Arbëri

Hoxhaj : Kemi konsensus politik për marrëveshjen e re me Malin e Zi

​Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një konferencë të jashtëzakonshme ka deklaruar se koalicioni qeverisës ka konsensus të brendshëm politik për Demarkacionin, posa të procedohet në Kuvend të Kosovës.

Hoxhaj deklaratën e re për demarkacionin me Malin e Zi e ka konsideruar si moment kthese për Kosovën në këtë vit jubile.

Sipas tij, kjo deklaratë e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq rikonfrimon vullnetin shtetëror të Kosovës për të adresuar përfundimisht çështjen e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se është koha e fundit që Kuvendi i Kosovës ta votojë marrëveshjen pas arritjes së kësaj deklarate.

Duke iu bërë thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e re për demarkacionin, ai ka deklaruar se përmes kësaj deklarate e kanë konsensusin e brendshëm politik.