Arbëri

Tërnava ligjëratën e Xhumasë e zëvendësoi me 10-vjetorin e Pavarësisë

Descriptive Text

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava sot ligjëratën e zakonshme të xhumasë e ka zëvendësuar me një ligjëratë për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Tërnava tha se pavarësia dhe shtetësia e Kosovës u përmbushën me angazhime, luftëra dhe sakrifica shekullore, transmeton KP.

“Për këtë kauzë dhe të drejtë për të mbrojtur vendin ishin përfshirë shumë njerëz. Populli ynë u angazhua për të realizuar të drejtën për të jetuar të lirë. Dhe në fund me ndihmën e Zotit u realizua me fitore dhe shtet të pavarur. Për këtë arritje ka qenë e angazhuar dhe BIK-u që nga vitet e nëntëdhjeta. Dhjetë vjet shtet nuk janë shumë edhe pse sfidat janë të mëdha. Kujtojmë me pietet të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë”, tha Tërnava.

Në ligjëratën e tij ai ka falënderuar SHBA-të, Turqinë dhe shtetet evropiane. Për këtë, sipas tij, brezat e tashëm në vend kanë për obligim që të çojnë Kosovën përpara, duke kontribuar në shtetndërtim në mënyrë që vendi të bëhet me perspektivë.