Arbëri

Për BE-në Kosova partner sikur vendet tjera të Ballkanit Perëndimor

Dy zyrtarë të lartë të BE-së po largohen nga Kosova me ndjenë pozitive për përkushtimin e Kosovës për të kryer obligimet e veta në rrugën e integrimit, raporton KTV.

Christian Danielsson, drejtor i përgjithshëm në Komisionin Evropian për Zgjerim, dhe Thomas Mayr Harting, drejtor në Evropë dhe Azi në zyrën e Mogherinit, kanë thënë në një intervistë për KTV-në se BE-ja e konsideron Kosovën partner të barabartë, sikurse edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Të dy kanë thënë se asnjëri shtet nuk mund ta bllokojë tjetrin në rrugën e anëtarësimit dhe nuk mund të kenë çështje të hapura, siç janë ato të kufirit. Prandaj, do të ketë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Harting, i zyrës së Mogherinit, ka thënë se dialogu do të vazhdojë shumë shpejt në nivelin e lartë, por ka lënë të kuptohet se përfshirja e SHBA-së është e panevojshme.Të dy zyrtarët i kanë bërë thirrje Kosovës ta votojë sa më shpejt marrëveshjen e demarkacionit dhe t’i përmbahet obligimit për funksionalizimin e Dhomave të Specializuara.