Arbëri

Thaçi thotë se Brukseli pret ratifikimin e demarkacionit për heqjen e vizave

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se Brukseli pret që Kosova të përmbush kushtin e fundit: ratifikimin e demarkacionit me Malin e zi që të liberalizohen vizat.

Thaçi ka takuar Mogherinin në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munich. Ai ka biseduar me Përfaqësuesen e Lartë për zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkan.

“U pajtuam se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në politikë, ekonomi dhe sundim të ligjit, ndërsa në rajon është promovuese e paqes dhe dialogut”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

“Për çështjen konkrete të liberalizimit të vizave, Brukseli tani pret që Kosova të përmbushë edhe kushtin e fundit, atë të ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, që kosovarët të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen”, ka shkruar ai.