Arbëri

Në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, mungojnë të dorëhequrit

Descriptive Text

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se është detyrë e tyre që ta vendosin Kosovën në binarë të zhvillimit dhe forcimit dhe për këtë është e nevojshme që me vendin të qeverisë Vetëvendosje.

Ai në mbledhjen e 32-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka thënë se pas fitoreve nëpër komuna, hapi i radhës i tyre është ardhja në qeverisje e Vetëvendosjes, gjë e cila, sipas tij, është edhe domosdoshmëri duke e parë zhgënjimin e madh dhe pesimizmin që e kanë shkaktuar dështimet e njëpasnjëshme të subjekteve tjera.

“Do të vazhdojmë me forcimin e marrëdhënieve tona me partnerët ndërkombëtarë, qofshin këta përfaqësues në Kosovë apo subjekte të ngjashme në vende tjera. Intensifikimi i aktivitetit opozitar, ndalja e projektligjeve të dëmshme në Parlament, por edhe iniciativat ligjore me rëndësi për qytetarët dhe grupet tjera të interesit do të jenë detyrë mbi detyrat për grupin tonë parlamentar dhe për organizatën në tërësi”, ka theksuar Kurti, raporton “Koha Ditore”.

Ka thënë se Vetëvendosje i ka themelet politike, të cilat i kanë bërë bashkë dhe me të cilat pajtohen të gjithë.

“Ato janë përpjekje e pandërprerë për plotësimin e sovranitetit të Kosovës dhe për bashkimin me Shqipërinë, si projekt vetëvendosës zhvillimor dhe paqësor. Rruga social-demokratike për mbrojtjen dhe zhvillimin e prodhimit vendës, zhvillimit ekonomik dhe të punësimit, me drejtësi sociale dhe jo vetëm gjyqësore. Si dhe përforcimin e shtetit në mënyrë demokratike dhe të drejtë, ndryshe sa kanë bërë pushtetet e deritanishme, që e kanë mbrojtur korrupsionin e vet me autoritarizëm e brutalitet”, ka pohuar Kurti.

Ka thënë se do të ketë risi në Vetëvendosje dhe se tre muajt e ardhshëm do të shërbejnë për anëtarësime të reja në këtë parti.

Nuk i ka përmendur të dorëhequrit nga pozitat udhëheqëse në Vetëvendosje, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhje të Këshillit.