Arbëri

Thaçi: Klubi i Biznesit Frankofon do t’i rrisë shkëmbimet tregtare me vendet anëtare

Descriptive Text

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në hapjen e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë, njofton kumtesa presidenciale, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se hapja e këtij klubi e bën Kosovën pjesë të Frankofonisë dhe i gëzohemi mundësive që të thellojmë bashkëpunimin në të gjithë sektorët me vendet anëtare të këtij forumi të rëndësishëm botëror.

“Është shumë e nevojshme që bota të mësojë për potencialet e Kosovës, por edhe që afaristët kosovarë të përfitojnë nga përvojat dhe mundësitë që ofron bota sot. Klubi që po themeloni sot, përbën një forum të tillë në të cilin shkëmbehen përvoja, shkëmbehen informata, por edhe lidhen partneritete dhe marrëdhënie bashkëpunimi”, ka thënë Thaçi.

Si në çdo shtet në zhvillim, ka vazhduar ai, se këto vite është investuar shumë në infrastrukturën teknike dhe ligjore, duke krijuar lehtësira për investitorët potencialë dhe duke ndikuar në përmirësimin e ambientit të përgjithshëm të të bërit biznes.

“Efektet e para të këtyre masave po vërehen dhe po preken nga komuniteti i biznesit. Gjithë ky investim është vlerësuar në mënyrë afirmative edhe nga Banka Botërore. Mirënjohje për të arriturat e Kosovës është edhe pranimi i Kosovës si vend kandidat për MCC të Kongresit Amerikan, që mat në mënyrë strikte indikatorët që janë vital për zhvillimin e ekonomisë. Por, mirënjohje është edhe hapja e këtij klubi që po bëni ju sot këtu”, është shprehur Thaçi.

Duke pasur parasysh se qëllimi kryesor i shteteve frankofone është një zhvillim i qëndrueshëm që mbështetë zhvillimin e qeverisjes efikase, zhvillimin ekonomik, ndërtimin e kapaciteteve, bashkëpunimin në mes shteteve, presidenti Thaçi ka shprehur besimin se bizneset e Kosovës dhe vetë shteti i Kosovës do të përfitojnë shumë në çdo aspekt nga kjo iniciativë.

“Kam iniciuar amandamentimin e Kodit Penal dhe mbështesim gjyqësorin që të sigurohet se askush nuk do të jetë mbi ligjin”, ka përfunduar Thaçi.

Pjesëmarrës në hapjen e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë ishte si nikoqir edhe ambasadori francez, Didier Chabert, kryeparlamentari Veseli, kryeministri Mustafa dhe përfaqësues të odave ekonomike dhe të komunitetit të biznesit në Kosovë.