Arbëri

Të dhënat e IHK-së, të sakta 80-90 për qind

Sot është Dita Ndërkombëtare e Meteorologjisë.

Drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHK), Letafete Latifin, me këtë rast i tha RTK-së së të dhënat e këtij instituti janë të sakta 80-90 për qind. Ajo në Ditën e Meteorologjisë ka kërkuar që ky institut të përkrahet më shumë nga shteti për arsye se është në shërbim të tij, të qytetarëve dhe të ambientit.

“Instituti Meteorologjik nuk është në vendin e merituar për shkak se nuk po i jepet prioritet sa duhet nga njerëzit vendimmarrës. Ky Institut duhet të zhvillohet më shumë sepse është me interes për shtetin”, ka thënë drejtoresha Latifi, e cila ka bërë thirrje që të investohet më shumë në këtë Institut, pasi mundësohet koherenca e informacionit për publikun për cilësinë e ajrit, për kushtet meteorologjike, për kushtet hidrologjike dhe për të gjitha aktivitetet që zhvillohen në institutin që ajo udhëheq.

Drejtoresha Latifi ka thënë se të dhënat e tyre janë të sakta rreth 80-90 për qind. “Cilësia e ajrit në Kosovë dhe faktorët që ndikojnë për prishje të ajrit tashmë janë të njohur edhe për publikun. Ndotja vjen kryesisht nga industritë, nga transporti dhe amvisëria, mirëpo nuk është përmendur shpesh edhe faktori tjetër - nga kushtet meteorologjike”, është shprehur Latifi, duke njoftuar se cilësia e ajrit tash për tash është e mirë.

Ndër të tjera, ajo ka bërë me dije se sot, në Ditën Ndërkombëtare të Meteorologjisë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës do të organizojë një manifestim dhe një program që e ka ndarë në dy pjesë; fillimisht për stafin politik dhe për vendimmarrësit, për donatorët mbështetës të Institutit Hidrometeorologjik dhe mediet, kurse për pjesën e dytë të programit është paraparë aktivitet për të gjithë të interesuarit, të cilët zakonisht janë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, studentë, fëmijë të çerdheve që vijnë dhe shohin si zhvillohet veprimtaria e Institutit Hidrometeorologjik.