Majko i lumtur që gjuha shqipe do të mësohet njëherësh me anglishten në diasporë

Majko i lumtur që gjuha shqipe do të mësohet njëherësh me anglishten në diasporë

09 shkurt 2018 21:26

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, tha se institucioni që ai drejton përpiqet për organizimin e diasporës, por pa ju imponuar komunitetit të shqiptarëve jashtë vendit.

Ai tha se pavarësisht se pjesëtarët e diasporës kanë pikëpamje të ndryshme politike, synohet që të nxiten veprime në ndihmë të interesave të komunitetit. Qëllimi im tha ai, është që ta ndihmojmë diasporën për ruajtjen e identitetit, edukimin e fëmijëve dhe mësimin e gjuhës shqipe.

Majko tha se në New York, falë interesimit të pushtetit lokal dhe lobingut të diasporës, në shkolla do të hyjë mësimi i dy-gjuhësisë: gjuha shqipe do të mësohet krahas me anglishten dhe se ka shpresa që ky shërbim të hyjë edhe në shtete të tjera amerikane.

Ministri Majko tha se në Shtetet e Bashkuara kanë filluar të ngrihen qendra kulturore të shqiptarëve, falë kontributit financiar të diasporës, por shtoi se në këto projekte do të kontribuojnë edhe qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës. Ai tha ngritja e këtyre qendrave do të vazhdojë, sipas modelit të asaj të ngritur nga biznesmeni Richard Lukaj në New York.

Ministri shqiptar i diasporës tha se në Shqipëri qeveria ka miratuar së fundi ligjin për Agjencinë Kombëtare të Diasporës, që do të jetë një agjenci në funksion të interesave të diasporës. Ligj pritet t’i kalojë së shpejti Parlamentit.

Zoti Majko shtoi se qeveria shqiptare ka filluar punën për një projligj që do të lidhet me një fond për zhvillimin e diasporës.

Ai tha se në diasporë ka një pasuri të jashtëzakonshme njerëzore dhe intelektuale por sekreti në punën me diasporën qëndron tek mënyra e komunikimit me komunitetet jashtë vendit. Ministri Majko tha po përpiqet të krijojë në administratën shqiptare një atmosferë të mirë për investitorët nga diaspora, pas kjo administratë është mësuar të punojë vetëm me investitorë nga Shqipëria.

Zoti Majko foli edhe për nevojën e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Pyetjes për kërkesën e diasporës për të botuar në zgjedhjet e Shqipërisë, ai iu përgjigj se institucioni që ai drejton po bashkëpunojmë me Komisionin e Venecias, me OSBE-në, dhe shoqërinë civile për realizimin e kësaj dëshire të diasporës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme