Arbëri

“Pavarësohet” gjyqësori, nga 1 korriku s’do të ketë prokurorë e gjykatës të EULEX-it

Qeveria e Kosovës është duke u bërë gati për përfundimin e misionit të EULEX-it.

Në fund të muajit shkurt, në Kosovë pritet të qëndrojnë zyrtarë nga BE-ja, ku do të bisedohet me qeverinë kosovare dhe për EULEX-in, për të dalë me një propozim më pas.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i ngarkuar për përgatitjen e fazës transitore, shprehet se agjencitë ligjzbatuese në vend janë të gatshme të vazhdojnë punën të vetme.

Megjithëse nuk jep detaje rreth përfshirjes së tyre në të ardhmen, ajo që Tahiri siguron është se nga korriku, nuk do të ketë gjyqtarë e prokurorë të EULEX-it duke trajtuar lëndë.

Gati një dekadë të EULEX-it në Kosovë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i ndan në dy pjesë: fillimin e vrullshëm dhe ndihmën në ngritjen e kapaciteteve për gjyqtarë e prokurorë vendës, e më pas atë që e quan politizim të tij.

Përveç në rol këshillues, kompetencat që ndërlidhen me punën e Gjykatës Speciale do të jenë një arsye tjetër që misioni evropian të mbetet i angazhuar në Kosovë.