Arbëri

Haradinaj në Pentagon, pritet nga shefi i Gardave Nacionale të SHBA-së

Zyra e kryeministrit të Kosovës, njofton se në vazhdën e takimeve të rëndësishme në SHBA, Ramush Haradinaj sot vizitoi Departamentin e Mbrojtjes –Pentagon.

Aty, kreu kosovar i ekzekutivit u takua me gjeneralin Joseph L. Lengyel - shef i Gardave Nacionale të SHBA-së, Laura Cooper nga Departamenti i Mbrojtjes dhe oficerë të tjerë të lartë të ushtrisë amerikane.

“Në këto takime edhe njëherë u konfirmua përkushtimi për avancimin e raporteve Kosovë-SHBA. Ushtria amerikane është faktor jetik i paqes dhe lirisë në Kosovë dhe rajon. Kryeministri Haradinaj falënderoi bashkëbiseduesit për përkrahjen e vazhdueshme dhe, edhe njëherë theksoi rëndësinë e transformimit sa më të shpejtë të FSK-së në Forcë të Armatosur”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë.